Falimenton operatori turistik britanik Thomas Cook, duke bërë që të rrezikohen rreth 20 mijë vende pune në të gjithë botën. Nga këto 9 mijë vende pune janë në Britaninë e Madhe.
Nuk ka asnjë mundësi apelimi deklarata e falimentimit të Thomas Coook, operatorit të njohur turistik britanik. Lajmi u publikua në orët e para të mëngjesit të së hënës pas negociatave me kreditorët të cilat nuk dhanë asnjë rezultat.
Rreth 20 mijë vende pune në të gjithë botën tashmë janë në rrezik, nga të cilat 9 mijë janë në Britaninë e Madhe. Situatat financiare e grupit u bë më delikate pavarësisht rifinancimit nga “Fosun”, shoqërisë kineze aksionistja e parë që nga viti 2015, në muajin Gusht.
Problemi i parë që duhet zgjidhur menjëherë është riatdhesimi, pavarësisht premtimeve situata nuk duket aspak e thjeshtë. Autoriteti civil u bëri apel atyre që janë ende me pushime që t’i shijojnë ato pasi do të mund të kthehen falë një plani riatdhesimi i cili konsiderohet si më i madhi që nga lufta e dytë botërore: do të ktheheni të gjithë në shtëpi sipas datave të caktuara, përfundon deklarata.
Ministri britanik i Transportit bëri të ditur se të gjithë klientët e Thomas Cook do të kthehen në shtëpi me fluturime charter të vëna në dispozicion nga agjencia e aviacionit civil të Britanisë së Madhe.
Lidhjet speciale kanë nisur mëngjesin e të hënës, ndërsa disa turistë mund të blejnë një biletë të re dhe më pas do të rimbursohen.
Ndërkohë është hedhur poshtë dhe hipoteza e një shpëtimi publik, ministri i Jashtëm britanik Dominik Rab deklaroi se nuk ka asnjë interes strategjik kombëtar që do të justifikonte një ndërhyrje të tillë.
Kjo është periudha e vitit që Thomas Cook likuidon pagesat me furnizuesit e tij pas sezonit turistik veror. Por këto pagesa rrezikohen duke sjellë mundësinë që të jenë turistët ata që paguajnë pasojat./ABC News Albania