Hapja e negociatave, Thimonier: “Prespa” nuk mjafton

schedule16:35 - 22 Shtator, 2019

schedule 16:35 - 22 Shtator, 2019

Ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut ka lënë të kuptohet se marrëveshja e Prespës nuk mjafton për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Christian Thimonier ka deklaruar se vendi duhet të bëjë progres edhe në fushën e sundimit të së drejtës.

Më pak se një muaj para vendimit të pritur të Këshillit të Evropës, nëse dhe kur do të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut, Franca, vendi që deri tani ka qenë i rezervuar, ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar.

“Do të bisedojmë me vendet anëtare për përparimin e vendit, në fushën e sundimit të së drejtës, por edhe në lidhje me stabilitetin rajonal”, thekson ambasadori Thimonier.

“Vendimi ende nuk është marrë. Duam ta shohim gjendjen reale me përparimin e arritur. Moment i rëndësishëm është Marrëveshja e Prespës dhe vazhdimi i pajtimit rajonal që e zbaton kjo qeveri. Të gjitha këto janë elemente të rëndësishme, disa shumë pozitive, të tjerat më pak, madje edhe dëshpëruese. Për të gjitha këto do të jepen vlerësime, në mënyrë të drejtë dhe në këtë drejtim, ne në Paris në këtë moment i shohim anët e mira, si dhe ato që janë më pak të mira. Para së gjithash ideja është që ky rajon është i rëndësishëm, ndërsa Maqedonia e Veriut ka luajtur rol shumë pozitiv që e përshëndesim”.

Ambasadori Thimonier pajtohet se mosrespektimet në sundimin e së drejtës në Maqedoni nuk janë unike, se edhe në BE nuk është gjithçka e përsosur, ndërsa mosrespektime në sistemet juridike ka edhe në disa vende anëtare. Shton se është e rëndësishme të shihet tendenca se problemet nuk përfundojnë “nën qilim” dhe t’u jepet shpresë, sidomos të rinjve.

“Disa nga të rinjtë largohen, të lodhur nga sistemi, të pakënaqur që ndonjëherë duhet madje t’u paguajnë disa mijëra euro partive politike që të gjejnë një vend pune, ndërsa kanë diplomë dhe kapacitet. Kjo duhet të ndërpritet, një ndërprerje e vërtetë, mendoj se ky proces ka filluar. Kuptohet që mund të nisin negociatat, por sjellje të caktuara duhet të ndryshohen realisht, sidomos ajo që në raportin e Komisionit Evropian u cilësua si “shtet i robëruar”, por edhe “departizim””.

Në lidhje me shuarjen e Prokurorisë së Posaçme Publike, gjë që zhgënjeu një pjese të madhe të opinionit, por edhe vazhdimi i jetës së lëndëve të hapura nga PSP-ja në prokurorinë e rregullt, ambasadori Thimonier thekson se më e rëndësishme është që t’i jepet fund jondëshkueshmërisë. Ajo ekzistonte në të kaluarën, kështu që shumë ish-funksionarë të lartë politikë, të cilët duhet të dënoheshin, edhe më tej jetojnë në bollëkun e tyre, për shkak të një amnistie reciproke dhe lojërave politike, shton ai.

“Kjo është sjellje e palejuar, e parë nga këndvështrimi evropian. Edhe ne nuk jemi të përsosur, por kjo është e papranueshme. Çështja kryesore, për çka mendoj se pajtohemi të gjithë, është t’i jepet fund jondëshkueshmërisë dhe të zgjidhen të gjitha rastet. Të ketë përfundime juridike të njëjta për të gjithë, sepse njëra nga vërejtjet për punën e PSP-së është se la përshtypjen se për disa çështje gjërat kanë funksionar më ndryshe se për të tjerat, madje për raste të caktuara u shfaq një lloj imuniteti që mund të sqarohet vetëm përmes aspekteve politike. Ky nuk është definicioni i vërtetë i drejtësisë”.

Në lidhje me tensionet në mes Beogradit dhe Prishtinës, ambasadori Thimonier e rekomandon modelin e kompromisit, nëpërmjet të cilit Maqedonia i përmirësoi marrëdhëniet me Greqinë dhe me Bullgarinë: Mosmarrëveshja në mes Serbisë dhe Kosovës, sipas Thimonier duhet të zgjidhet në drejtim të stabilizimit të rajonit. Në të kundërt, do të humbet rëndësia e qëllimit strategjik të Evropës – kyçja e këtij rajoni në Bashkimin Evropian./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!