KOSOVË- Anlisti Frrok Çupi tha se Kosova do ta ketë të vështirë të rikuperojë marrëdhëniet e “prishura” me aleatët perëndimorë, nisur nga fakti se kryeministri i saj Albin Kurti, ka zgjedhur të kryejë veprime të pakoordinuara, në pjesën e veriut.
Ai shtoi në ABC News se rregullimi i marrëdhënieve mund të ndodhë vite më vonë, por pavarësisht kësaj Çupi shtoi se Kosova nuk është më si më parë, përpara se Albin Kurti të ndërmerrte aventura kaq të rrezikshme. Sipas tij, Kurti ka një qëllim: të ketë tension të stërzgjatur në veri.
“Kjo është një përgjigje që mund të thuhet shumë shkurt, por është një përgjigje që i kthehet zakonit dhe sjelljes së fuqive të mëdha ndaj vendeve aleate. Kurrë nuk mund të ndodhë, që në një periudhë të shkurtër të rivendosen marrëdhëniet. Kjo ka vdekur. Edhe sikur papritur të mund të vendosen, që nuk ndodh, do bëhet e pabesueshme SHBA ose BE. Jemi në sfidën: o është e pabesueshme qeveria e Kosovës ose bëhen të pabesueshëm para gjithë botës SHBA dhe BE. Kjo mund të ndodh në shumë vite të ardhshme, por nuk do ndodh kurrë siç ishte.Kosova nuk do jetë kurrë siç ishte para se të niste pasioni i Kurtit për të shkaktuar… Kurti nuk ka asnjë qëllim tjetër, por Kurti ka një qëllim që e ka edhe Vulin, Vuçiç dhe Moska, të shkaktojë trazira në veri dhe atje të qëndrojë një tension permanent”, tha ai.
Ai shtoi se Kurti po përpiqet të kthejë popullin e Kosovës kundër aleatëve të saj.
“Gjithë Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti si majtist shumë ekstrem nuk e ka besuar dhe nuk do donte kurrë të kishte të bënte me SHBA. Ka disa arsye për këtë, sepse SHBA është fuqia që është e angazhuar për vendosjen e demokracisë, është e angazhuar kundër dhunës në çdo shtet. Kushdo në Kosovë e konsideron një Zot Amerikën, sepse e ka çliruar, i ka dhënë republikën dhe këtë fat Albin Kurti nuk do ta ndajë me Amerikën, por këtë fakt do ta mbajë për vete. Amerika, sipas idesë së tij, duhet spostuar pak nga pak dhe duhet lënë jashtë”, tha Çupi./ n.m.abcnews.al