Mezi e kishte pritur këtë moment. Armando Broja vazhdon ta jetojë ëndrrën e tij, edhe pse ajo nuk është ende e realizuar qind për qind, ndërsa pas një kohe tepër të gjatë u bashkua me Chelsea.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që ishte i dëmtuar që nga dhjetori, la pas çdo pengesë dhe nisi fazën përgatitore me Blutë e Londrës, ndërsa mungoi për më shumë se 7 muaj.
A ndihet ai i lumtur?
“Po, padyshim. Është bukur të jesh sërish mes djemve, të jesh në grup. Ju e dini se unë kam kaluar një kohë të gjatë jashtë fushe. Nuk ishte aq e lehtë të ishte jashtë, të ishe vetëm, por tashmë jam i lumtur që u ktheva dhe ndihem shumë i lumtur”.
Gazetari i klubit e ngacmon shqiptarin duke i thënë se këtë verë u kthye më shpejt në stërvitje.
“Po, patjetër. Kjo gjë më dha më shumë fuqi që të kem mundësi të kthehem siç duhet me ekipin në fazën përgatitore. Ndryshe nuk do t’ia kishte dalë. Pres që ky të jetë një sezon i madh, dhe unë duhet të jem gati. Kam kohë i dëmtuar. Nuk është e lehtë kur ke lëndime të tilla. Pres një sezon të madh, një fazë përgatitore të madhe. Duhet të kthehem në formën time më të mirë, dhe të luftoj për një vend në formacion”.
Broja pati një fazë riaftësimi të gjatë pas dëmtimit të pësuar në dhjetor.
Trajneri Mauricio Pochettino ka kërkuar që ta shikojë nga afër sulmuesin 21-vjeçar kuqezi përpara sesa të vendosë nëse do ta mbajë në ekip për sezonin që vjen, apo ndoshta ta huazojë, ndërsa në rastin më të keq, t’ia shesë kartonin.
Katër klube të Premier League duan shërbimet e Brojës, por shqiptari i dalë nga Akademia e Chelsea dëshiron të provojë se e meriton të luajë për një ekip kaq të madh, që ka dalë dy herë kampion i Europës./ h.ll/abcnews.al
Armando Broja ready for Big season Ahead ? pic.twitter.com/D3xse2hktD
— Beemiee Ahmie (@beemiee123) July 11, 2023

