Mozaiku i panjohur i Bylisit/ Studiuesit: Prova për ekzistencën e bazilikës së 6-të në “qytetin e tempujve”

schedule20:12 - 8 Korrik, 2023

schedule 20:12 - 8 Korrik, 2023

Bylisi antik, mund të ruajë në nëntokën e tij edhe objekte të tjera kulti si 5 bazilikat paleokristiane. Këto të fundit u zbuluan në vitet ’80 duke i dhënë qytetit ilir, edhe emrin, qyteti i tempujve. Por një dekadë përpara zbulimit të bazilikave, një mozaik u gjet rastësisht jashtë mureve të qytetit gjatë punimeve në fshatin Hekal.

Mozaiku i harruar, është i vetmi objekt që provon ekzistencën e bazilikave jashtë mureve të qytetit antik. Punimet, të cilat u bënë shkak për gjetjen e tij, dëmtuan nga ana tjetër edhe gjurmët e ndërtesës së lashtë, e cila mund të jetë bazilika e gjashtë e Bylisit.

Me përmasa 1.67 cm gjatësi dhe 91 cm gjerësi, mozaiku ekziston sot falë përpjekjeve të ekspertëve dhe studiuesve të cilët bënë të mundur restaurimin dhe dokumentimin e tij.

Pas krahasimeve me mozaikët e Apolonisë, autorët e studimit, arritën në konkluzionin se mozaiku mund t’i përkiste dyshemesë së një ndërtese kulti të shek V-VI.

Nje kishë paleokristiane e cila nëse nuk do dëmtohej nga punimet për varrezat e fshatit Hekal, mund të ishte bazilika e parë e gjetur në Bylis. Megjithatë, ky mozaik i harruar në muzeun e Fierit, vërteton se bazilikat e Bylisit janë më shumë se ato që njohim dhe se vendbanimi i lashtë e meriton titullin qyteti i tempujve.

Bylisi u themelua nga fisi ilir i Bylinëve në mesin e shekullit të IV para Krishtit dhe funksionoi për 1000 vjet deri në braktisjen e tij ne shekullin e VI pas Krishtit. Parku arkeologjik ndodhet në një lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit mbi luginën e Vjosës dhe ofron përveç të dhënave historike edhe një pamje mahnitëse të Mallakastrës dhe zonave përreth./abcnews.al