“Nuk ka vend për të në fushë”, Grezda në telashe të mëdha!

schedule12:04 - 21 Shtator, 2019

schedule 12:04 - 21 Shtator, 2019

Eros Grezda është në telashe. Prej muajit prill ai nuk luan për ekipin e parë të Rangers dhe në Skoci i kanë bërë dalje. Sulmuesi anësor ka menduar t’a shtojë edhe më shumë telashet vetes. I aktivizuar me ekipin e 21-vjeçarëve të Rangers, gjakovari akuzohet se ka pështyrë lojtarin e Ballymena United, Andrew Burns.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar është vetë trajneri Steven Gerrard ai që flet dhe që e bën të qartë që Grezda nuk ka vend në ekipin e tij. “Grezdës i është thënë ballë për ballë në çfarë situate është. Është këshilluar të gjejë një sfidë tjetër për veten dhe përfaqësuesi i tij e di. Po mundohemi të jemi të respektueshëm me të dhe t’i japim kohë të ketë formën e duhur fizike, pasi ka akoma disa dritare merkatoje të hapura dhe që mund t’i përshtaten atij”, shprehet fillimisht ish-futbollisti i Liverpool.

Më tej ai ka komentuar edhe atë që ka ndodhur: “Nëse sillesh në atë mënyrë, atëherë nuk e përfaqëson këtë klub në asnjë nivel. Asnjë nuk sillet ashtu dhe të veshë fanellën e Rangers. Kështu që do të ketë një masë disiplinore.

Më duhet të ulem ballë për ballë me Grezdën dhe të marr prej tij versionin e ngjarjes. Kam marrë versionin e një dëshmitari dhe jam i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur. Do e zgjidhim me të brenda për brenda, por është diçka për të cilën nuk jam aspak i lumtur. Nuk ka vend për të në një fushë futbolli nëse është fajtor”. / abcnews.al