“Monedha evropiane do të vijojë rënien”, eksperti: Kursi i këmbimit 1 euro në 100 lekë është shumë i afërt

schedule14:36 - 5 Korrik, 2023

schedule 14:36 - 5 Korrik, 2023

Eksperti për çështjet ekonomike, Elvin Meka theksoi se euro mund të vijojë rënien. Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” me Genta Dobrën, eksperti tha se rënia e monedhës evropiane mund të frenohet paksa me largimin e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për pushime.

Eksperti shtoi se nuk pritet që të ketë frenim ose prirje për rritje të euros pasi treguesit nuk ‘flasin’ për një kah të kundër të lëvizjes. Sipas tij, kursi  1 euro 100 lekë është i afërt.

“Panorama e ditëve të para të këtij muaji flet për një rënie të shpejtë nëse në muajt e tjerë janë dashur dy tre javë për një rënie të tillë. Tashmë operatorët presin se ku do të kalohet kufiri psikologjik 1 euro në 100 lekë pasi është shumë i afërt. Por që nëse gjërat do të ecin kështu, është e sigurt që tregu dhe ky çmim do të fiksohet rreth vlerës 1 euro 100 lekë. Të gjitha kushtet janë në favor të forcimit të lekut shqiptar, si dërgesat e emigrantëve, kthimi i emigrantëve për pushime në Shqipëri për pushime, turistët, paratë informale që nuk kanë të ndalur. Por është edhe një fenomen tjetër që lihet në hije dhe ka të bëjë me konceptin e vështirësisë së qarkullimit të monedhës lek.”, tha eksperti.

I pyetur se si shmanget rreziku i kursit të këmbimit, eksperti përmendi një masë të ndërmarrë nga Sllovenia.

“Një masë që mendoj se i ka ardhur koha është që Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë në periudhën afatmesme, duke filluar nga 2024 emetimin e letrave të saj me vlerë në monedhë të huaj. Kjo do të dërgonte sinjale të qarta në treg sa i përket pritshmërive të kërkesës për euro dhe do të mund të amortizojë të gjithë goditjet që mund të marrë leku shquptar si pasojë e realiteteve të reja të ekonomisë shqiptare. Msa të tilla nuk janë të panjohura në botë.

Kujtojmë Slloveninë e ’94-ës, e cila si pasojë e fluksit të madh të investimeve të huaja, u vu në të njëtën situatë sic jemi ne. Një nga masat që u mor në atë kohë, u përjashtua koncepti i ndërhyrjes së herëpashershme të bankës qendore për të realizuar sterilizimin e dollarit, dhe u favorizua masa e emetimit të letrave të bankës në monedhë të huaja. Të njëjtën gjë, Banka e Shqipërisë mund ta konsiderojë në mënyrë të përkohshme dhe nuk do të shërbente si një garanci për frenimin e rënies së euros por do të krijonte amortizatorë më të fortë për të mos përjetuar një rënie kaq të përshpejtuar të lekut në ekonomi.“, shtoi Meka./abcnews.al