Qytetarët shqiptarë do të paguajnë taksën e pronës në bazë të çmimeve të referencës. Ministrja e financave, Delina Ibrahimaj sqaroi në një konferencë për mediat se tashmë kanë nisur konsultimet dhe synohet që këto ndryshime të përmirësojnë mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Eksperti për çështjet e pushtetit vendor, Agron Haxhimali tha për “Sheshi i Dollarit”, tha se reforma për pronat e vitit 2018 ishte shumë e mirë por pati probleme. Ai shtoi se qeveria duhet të analizojë së pari problematikat që ndikuan tek kjo reformë për të pasur rezultate të mira në ndryshimet e reja.
“Fakti që taksimi i pronës bazuar në vlerë për hir të së vërtetës është më i drejti por më shqetëson është fakti se ne e bëmë një reformë të tillë në 2018 kur u taksua referuar çmimit të referencës dhe rezultati nuk na shkoi sic duhet. Përpara se të arrijmë këto ndryshime, qeveria duhet të bëjë një analize se pse jemi në këtë gjendje, çfarë nuk funksionoi. Kishte probleme kadastra fiskale, bashkitë. Ligji në atë kohë ishte shumë i mirë. Duhet të analizonte pse s’i arriti objektivat me ndryshimet në vitin 2018.”, theksoi eksperti.
Pse ‘çaloi’ kjo reformë?
“E para është debati i kahershëm i mungesës së asaj që quhet kadastra fiskale. Qeveria qendrore i kishte të gjitha mundësitë që të stabilizonte databasën e pasurive. Pas 2018 është punuar shumë për kadastrën fiskale por akoma s’e kemi të stabilizuar. E dyta, është mungesa e të dhënave dhe populli i databasës së secilës bashki me pasuritë e paluajtshme. Nga ana tjetër, ka një vullnet jo të mirë në nviel vendor për ta zgjeruar bazën e tatimpaguesve të pronave në nivel vendor, qoftë banesave, veprimtari ekonomike por edhe të tokës bujqësore. Disiplina, financiare, evazioni fiskal janë një sërë faktorësh që çuan në këtë rezultat. Nëse nuk përmirësojnë këto, edhe me ndryshimin e ligjit do të ketë probleme.”, shtoi Haxhimali.
Eksperti shtoi se me ndryshimet e reja qytetarët dhe bizneset do të paguajnë deri në dy herë më shumë. Por ai shton se është e nevojshme që nga taksimi i pasurisë nuk duhet të ketë kategori të përjashtuara, përveç grupeve të caktuara sociale dhe ata që janë në pamundësi për të paguar.
“Sipas meje, mendoj që së paku 1.5 herë apo 2 herë më shumë. Mund të ketë raste sipas vlerës së zonës, objektit, shkallës së amortizimit. Por vlera e pasurisë në Shqipëri është rritur dhe rreth 2 herë më shumë sesa paguajnë sot do të paguajnë qytetarët për banesat e tyre, operatorët ekonomikë dhe fermerët nëse shkojmë tek taksa bujqësore.“, shtoi më tej eksperti Haxhimali.
Haxhimali theksoi se edhe bashkitë duhet të jenë më vigjilente dhe transparente. “Ligji i 2018 i jep pushtet bashkisë që nëse nuk ka të dhëna, të monitorojë dhe të taksojë. Kjo ka çaluar. Me ndryshimet ligjore, nëse nuk kemi përmirësuar sistemin e tërë fiskal, s’do të ketë rezultate të mira.”, shtoi ai./abcnews.al