Nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” me godinë të re, Veliaj: Këtë vit kemi një buqetë prej 10 shkollash të reja

schedule14:06 - 4 Korrik, 2023

schedule 14:06 - 4 Korrik, 2023

Shkolla “Musine Kokalari” në Kombinat është shkolla e radhës, e cila do të presë nxënësit e sistemit 9-vjeçar në kushte dhe hapësira më të mëdha dhe moderne këtë vit të ri arsimor. Përveç kapacitetit, i cili do të rritet me mbi 50% të fëmijëve që mësojnë në këtë shkollë, godina e re do të ofrojë edhe klasa më të mëdha, por edhe laboratorë e ambiente sportive të reja. Për të parë ecurinë e punimeve ishte sot në këtë shkollë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Shumica e njerëzve janë me pushime, por për ne është një avantazh i madh sepse ka më pak trafik, më pak lëvizje dhe mund të punojmë më të qetë. Për të gjithë vogëlushët e “Musine Kokalarit”, jo vetëm do të kthehen në një shkollë më të mirë, por edhe në një shkollë më të madhe, në një shkollë që rritet me 50% të sipërfaqes dhe potencialisht mund të rritet edhe me 50% të nxënësve, sidomos kur të mbarojë Lagjja e re në Kombinat, edhe prej faktit se zhvillimi natyral i Tiranës po shkon në segmente si rruga “Dritan Hoxha”, “Rruga e Elbasanit”, dhe për sa kohë që Unaza e pestë tani është kantieri më i madh i ndërtimit në Tiranë, gjasat janë që kemi marrë vendimin e duhur,” deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë tha gjithashtu se falë ndihmës nga BE dhe PNUD, punimet në këtë shkollë janë të standardeve të larta, si në çdo shkollë të re të ndërtuar në kryeqytet. “Jam vërtet i mbresuar nga mënyra si kolegët e BE dhe PNUD-it kanë punuar me shumë rigorozitet. Ne nuk kemi interes të presim shirita në fushatë, na duhet që kjo të jetë një punë e mbarë që, pavarësisht kush vjen mbrapa e pavarësisht sa vite do kalojnë, t’i rezistojë kohës, t’iu rezistojë tërmeteve dhe ndryshimeve klimaterike. Shumë shkolla private shohin shkollat publike dhe janë shumë larg nga standardi i ndërtimit të shkollave. Ndaj, misioni është edhe për të rritur pak stekën, çfarë duhet të jetë standardi i institucioneve arsimore,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se si kjo shkollë e re janë dhe 10 shkolla të tjera, që do të hapen këtë vit të ri shkollor, nga të cilat veçoi: “Shkolla “Partizani” është shkolla e radhës, ku jemi thuajse duke i dhënë dorën e fundit dhe punë ditësh ne do të kemi ceremoninë e diplomimit. Do të jetë shkolla “Lek Gjiknuri”, e cila do të hapet te “Medreseja”. Kështu që, kemi shumë lajme të mira për nxënësit, ajo që mbetet janë 10-at. Kur dëgjova që në provimet e Maturës ishte rritur numri i djemve dhe vajzave me 10 absolute e bën të gjithë këtë mund që t’ia vlejë dhe pavarësisht vapës dhe gjithë këtyre kushteve, kur ti shikon që bën diçka cilësore dhe pastaj nxënësit performojnë, është një bekim i madh për qytetin tonë”.

Veliaj tha po ashtu se paralelisht me shkollat po ecet dhe me dy projekte të tjera të rëndësishme, sidomos për studentët. “Ne do të ecim me transferimin e Terminalit Lindor, pra terminalit të Qytetit Studenti, për të shkuar te rrethrrotullimi i Lundrës. Ndërkohë, do të fillojmë së shpejti edhe punimet tek “Kthesa e Kamzës” për Terminalin Perëndimor. E dyta, ne do të fillojmë Kampusin Universitar dhe unë besoj se ajo që kemi treguar me Universitetin Bujqësor, me konviktet atje, me ato të Inxhinierisë dhe ato të Mjekësisë, ku vetëm ajo muralja e Messit u bë virale, do të thotë që, ku ndërhyhet dhe ku ka dorë për të përmirësuar infrastrukturën, aty sigurisht sjell një zhvillim dhe reputacion për të gjithë qytetin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!