Fitoi, por edhe provoi diçka që nuk I kishte ndodhur më parë.
Novak Djokovic e nisi siç duhet mbrojtjen e titullit në “Oll Inglënd Klab” (All England Club) në Londër, ndonëse reshjet e shiut penguan jo pak.
I mbiquajturi Nole mundi 3-0 argjentinasin Pedro Kaçin në raundin e parë në Uimbëlldon, me rezultatin e seteve 6-3, 6-3 e 7-6.
Përtej një “brejku” të humbur në setin e parë, dhe vështirësisë në të tretin, Nole nuk e pati problem kualifikimin.
Numri 2 i botës synon të fitojë titullin e 8-të personal në barin londinez, duke barazuar rekordin e mbajtur në Uimbëlldon nga Rozher Federer për meshkuj.
Për femra, e ka legjendarja Martina Navratilova me 9.
Gjithsesi, ndeshja në fushën qendrore në Uimbëlldon u vonua 80 minuta nga shiu.
“Ndoshta kjo ishte ndeshja më e çuditshme që unë kam luajtur këtu, veçse në kuptimin e mire. Padyshim që ishte shumë shqetësuese për publikun që priste që ndeshja të rifillonte, por edhe për ne tenistët. Ne donim që të luanim, por kushtet nuk na lejonin. Bari ishte i rrëshqitshëm. Më pas, arritëm që të luanim. Ky është “Dheu i Shenjtë”, tempulli i tenisit. Kjo fushë është diçka e veçantë. Unë zakonisht dal në fushë me raketën në dorë, por këtë herë dola me peshqir, por ishte bukur që bëra diçka ndryshe. Shpresoj që ju ta keni pëlqyer”.
Tenisti 36-vjeçar i lindur në Beograd synon Grand Slemin e 24-ët në karrierë, që do ta shkëpuste me dy më shumë sesa Rafael Nadal, si dhe do ta bënte të barazohej me legjendën tjetër, Margaret Kërt nga Australia, që mban rekordin e përgjithshëm për meshkuj e femra me 24 tituj në Grand Sleme.
Këto rekorde do t’i shtoheshin edhe fakti se ka qendruar në krye të renditjes botërore ATP për 379 javë, më shumë se kushdo tjetër, dhe këtë e ka bërë për 12 vjet të ndryshëm./ h.ll/abcnews.al