Përfundon në çmendinë personi i nisur në këmbë nga Siberia në Moskë

schedule13:50 - 20 Shtator, 2019

schedule 13:50 - 20 Shtator, 2019

Aleksandër Gabishev, 51 vjeçari i nisur në këmbë nga Siberia për në Moskë që në muajin mars, ka përfunduar në çmendinë. Plani i tij ishte të zbatonte porosinë e Zotit sipas të cilës duhej dëbuar djalli Vladimir Putin nga vendi.

Ka përfunduar në cmendinë udhëtimi i Aleksandër Gabishev, personi që ishte nisur në këmbë nga Siberia për në Moskë me objektivin për të dëbuar djallin Vladimir Putin, sepse e kishte porositur Zoti. I arrestuar të enjten, ai u internua në qendrën psiko – neurologjike në Jakutsk ku do i nënshtrohet disa testeve.

Ekipi mjekësor u shpreh se nëse pacienti ka patologji atëherë ai do të mjekohet madje duke përfshirë dhe shërbimet sociale.

Gabishev, 51vjeç i diplomuar në Histori me një të kaluar si eremit në pyje, pas vdekjes së bashkëshortes, në muajin mars vendosi të nisej në këmbë drejt Moskës. Përgjatë rrugës atij iu bashkuan rreth 20 persona, anarkikë, poetë, ish gazetarë dhe kamionistë. Të gjithëve, historiani u kishte vënë një pseudonim.

Me ndjekësit e tij ai ka ecur 20 kilometra në ditë, duke fjetur disa herë në tendë e herë të tjera në hotel. Videot e tij të hedhura në Facebook janë parë nga mijëra persona. Para nisjes ai ishte shprehur se kur të mbërrinte në Moskë do të kishte një ushtri me vete dhe do të dëbonin djallin, duke parashikuar se kjo do  të ndodhte në vitin 2021. Më tej ai shtonte se do të ndryshohej kushtetuta, do të kishte zgjedhje të reja dhe do të zgjidhej një president tjetër. Çdo gjë do të ndodhte shpejt sipas tij, pasi njerëzit e kombit të tij janë të mençur dhe të pasur me inteligjencë. Projekte këto që e çuan në çmendinë. /ABC news Albania 24/7