Euro është kthyer në monedhën e preferuar të qytetarëve shqiptarë për të ruajtur kursimet. Vetëm në muajin maj të këtij viti në sistemin bankar depozitat në monedhën europiane u shtuan me gati 108 milionë euro.
Nëse bëjmë një krahasim të depozitave në euro me majin e vitit të kaluar rritja është edhe më e fortë dhe rezulton rreth 1 miliardë euro. Rritja e vazhdueshme e depozitave në euro dëshmon nivelin e lartë të prurjeve valutore në ekonominë shqiptare. Investimet e huaja, remitancat dhe prurjet nga turizmi shënuan rritje të ndjeshme në muajt e parë të këtij viti.
Në një kohë që monedha europiane po këmbehet me rreth 107 lekë duke prekur nivele minimale , shumë qytetarë por edhe biznese kanë zgjedhur që kursimet në euro t’i depozitojnë në banka si një mundësi për të fituar diçka më shumë. Depozitat në monedhën kombëtare ndërkohë kanë pësuar ulje me rreth 1.3 miliardë lekë.
Gjatë muajit maj edhe kreditimi i ekono0misë ka pësuar një gjallërim.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë totale për ekonominë në fund të muajit maj ishte 712 miliardë lekë, duke pësuar një rritje me mbi 16 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.