Eksportuesit do përfitojnë disa lehtësi fiskale për të zbutur efektet negative që ka dhënë dobësimi i euros ndaj lekut.Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” i cili është dorëzuar në Kuvend ku pritet të nisë edhe diskutimet parashikon shtyrje të afatit për pagesën e tatimi-fitimit.
Nga pikëpamja e të ardhurave në buxhetin e shtetit, kjo lehtësi tatimore nuk do të ketë efekte në terma afatmesmë. Subjektet do ta paguajnë tatimin mbi fitimin për vitin 2023, deri më 31 mars të vitit 2024, por nuk do të parapaguajnë këstet e parashikuara gjatë këtij viti.
Gjatë muajve të fundit, është vënë re një forcim i ndjeshëm i monedhës vendase ndaj monedhave të huaja, kryesisht euros. Nëse flasim me shifra, nga një kurs mesatar këmbimi prej 118.9 lekësh gjatë vitit 2022, aktualisht kemi një kurs mesatar këmbimi 111.1 lekë/euro gjatë muajit maj 2023 , pra një zhvlerësim me -6.6% të monedhës euro ndaj monedhës vendase nga krahasimi i këtyre periudhave.
Ndërkohë në qershor dobësimi i monedhës europiane ndaj lekut ka qenë edhe më i fortë duke zbritur nën 107 leke.
Subjektet eksportuese po përballen me vështirësi financiare, duke pësuar rënie të të ardhurave si pasojë e kursit të këmbimit.Për të shmangur , mbylljen e veprimtarive të biznesit kryesisht në fushën e industrisë prodhuese të destinuar për eksport, e cila mund të sjellë reduktim të uljes së vendeve të punës, përkeqësim të shkëmbimeve tregtare si dhe frenim të rritjes ekonomike, është hartuar ky ndryshim ligjor I cili pritet të kaloj sa më parë për miratim.
Nga ana tjetër qeveria ka vendosur ndër të tjera që edhe rimbursimi i TVSH-së që merret nga eksportuesit pranë administratës tatimore do realizohet brenda 3 ditëve ndërkohë që aktualisht ka një afat 30 ditor. Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti eksportuesit përllogarin një humbje që arrin në 45 milionë euro.