Paolo Maldini është një legjendë e Milanit dhe tashmë ai ka një rol drejtuesit te kuqezinjtë. Para ndeshjes derbi me Interin është e pashmangshme që ai të mos flasë për përballjen me zikaltrit. Ish-qendërmbrojtësi së fundmi ka folur për faqen zyrtare të Milanit dhe tregon derbin më të veçantë.
“Gjithmonë është një emocion i madh para derbit, por më duhet të them se rëndësia e këtij derbi nuk është më e madhe se sa fitimi i një trofeu këtë sezon. Derbi më i bukur? Kam luajtur shumë, mendoj më shumë se 50. Në të gjitha derbet emocionet kanë qenë ndryshe”, shprehet Maldini.
Ish-qendërmbrojtësi shton: “Më emocionuesi ka qenë ai në gjysmëfinale të Champions League. Shkuam në finale dhe fituam trofeun. Në fund rezultati llogaritet dhe ato derbi kanë qenë ndoshta më intensivët”. Tashmë Maldini nuk luan dhe gjërat janë ndryshe.
“Diferenca është e madhe, pasi ti nuk do të luash. Si lojtar përgatitesh 10-15 ditë për të luajtur, kurse tani e bën të njëjtën gjë për ta parë ndeshjen. Në aspektin e stresit, është më mbresëlënëse të shohësh një ndeshje sesa ta luash atë. Kur zbret në fushë të ndizen instinktet, ndjen frikë dhe je i shqetësuar, gjëra që nuk ndodhin kur e sheh ndeshjen nga jashtë”. /abcnews.al