Një grua nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, për vrasjen e vajzës së saj 4-vjeçare. Ngjarja ndodhi në Verden, në gusht të vitit të shkuar. Katërvjeçarja humbi jetën pasi nëna e saj i hodhi në trup ujë të nxehtë. Nëna 25-vjeçare akuzohej po ashtu se nuk kishte ndihmuar të bijën pavarësisht dhimbjeve që kishte përjetuar.
“Gjykata ka vendosur se djegia u shkaktua qëllimshëm”, thuhet në vendim të gjykatës. Një e treta e trupit ishte prekur nga uji i valë. Vetëm pas 12 ditësh nga djegia, gruaja e kishte dërguar vajzën në spital. Por kjo ishte shumë vonë, shkruan RTL.
Sipas Prokurorisë, nëna e kishte futur vajzën në ujë të valë “për t’i dhënë mësim”. Pavarësisht dhimbjeve të padurueshme, sipas vendimit, nëna shqiptare nuk e kishte ndihmuar vajzën. Po ashtu në kokën e vajzës ishin gjetur shenja dhune.
Në vend që ta dërgonte te mjeku, nëna ishte përpjekur vetë t’i dilte në ndihmë disa ditë më vonë me ilaçe. Ajo ka edhe dy fëmijë të tjerë.