Qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë për të shënuar festën e Vidovdanit.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se ata pritet të miratojnë edhe një dokument, apo, siç thuhet, “Deklaratën e Vidovdanit”.
Tash për tash nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë ajo.
Deklarata vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.
Tash e një muaj gati, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Serbët i bojkotuan zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë.
Komuniteti ndërkombëtar, si hap për shtensionimin e situatës, kërkon nga Prishtina që të organizojë zgjedhje të reja, në të cilat do të merrnin pjesë edhe serbët.
Pse Vidovdani është i rëndësishëm për serbët?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.
Në dy vjetët e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.
Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.
Këtë vit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se më 28 qershor – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë – përkujtimet për Vidovdanin do të mbahen në Manastirin e Graçanicës, dhe jo në Gazimestan.
Nga ky institucion thanë se nuk i besojnë Policisë së Kosovës dhe se do të kërkojnë që grumbullimi i serbëve të sigurohet nga misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gazimestani dhe fjalimi i Millosheviçit
Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.
Ai fjalim i Millosheviçit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.
Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviç u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL