Osmani takon Hovenierin, rithekson rëndësinë e lirimit të menjëhershëm të policëve

schedule18:19 - 22 Qershor, 2023

schedule 18:19 - 22 Qershor, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë në veri të vendit.

Osmani, siç informoi Presidenca, ritheksoi rëndësinë e lirimit të menjëhershëm dhe pa kushte të policëve të Kosovës, të cilët janë rrëmbyer nga Serbia brenda territorit të Kosovës.

Po ashtu, ajo shprehu mirënjohje për qëndrimin e qartë të SHBA-ve sa i përket lirimit të policëve.

“Në takim u diskutua edhe për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA ndajnë të njëjtin qëllim për një Kosovë të integruar në strukturat euroatlantike e me sovranitet dhe integritet territorial të pacenueshëm.”, u bë nga Presidenca.

Ndryshe, të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe të premten (16 qershor) u është shqiptuar masa e paraburgimit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!