Analisti Frrok Çupi e sheh si të guximshëm aksionin e policisë në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare.
Në një intervistë për ABC News, Çupi u shpreh se aksioni ka nisur prej kohësh dhe dje kulmoi me ndërhyrjen e policisë, pasi hetimet ndaj tyre kishin filluar më parë.
Sipas tij, brenda kampit ka mister, teksa shtoi se aksioni i djeshëm, ishte një vënie në vend e drejtësisë kundër krimit.
“Kjo ishte një moment shumë i rëndësishëm për jetën e shtetit tonë, realisht. Një moment që dëshmon të paktën për dy faktorë të rëndësishëm, e para që shteti tashmë është fuqizuar dhe modernizuar deri në pikën që e zbulon, reagon edhe ndaj fenomeneve të tilla që ka bota. Opozita iraniane është një gjë kaq e diskutueshme në të gjithë Perëndimin dhe në të gjithë botën. E dyta dëshmoi thënien e hershme se, Amerika, kur ka interesa nuk shikon nëse dikush është terrorist ose jo. Amerika nuk i ka miq terroristët, edhe sikur t’i ketë mbrojtur për një kohë të caktuar.
Sa i përket aksionit të djeshëm, është një aksion që në fakt nuk ka nisur dje. Dje ka kulmuar në mënyrë spektakolare. Atje është hapur hetimi që në kohën kur ishte krijuar sulmi kibernetik mbi vendin tonë. Po hetohej që atëherë. Kjo që ndodhi dje, është një vënie në vend e drejtësisë kundër krimit. Brenda atij kampi ka mistere të mëdha, ka projekte makabre, ka edhe një keqdashje jo vetëm për shtetin iranian nga vijnë ata, por njëkohësisht edhe për shtetin shqiptar dhe për shtetin amerikan./abcnews.al