Odise Roshi shënon golin e 2-të të sezonit në Rusi

schedule17:50 - 17 Shtator, 2019

schedule 17:50 - 17 Shtator, 2019

Odise Roshi po vazhdon me formën e tij shumë të mirë. Pas golit me kombëtaren, lojtari i krahut realizoi edhe në Premier Ligën e Rusisë.

E mori veten shpejt pas lodhjes me kombëtaren. Odise Roshi jo vetëm që u bë përsëri pjesë e grupit tek Ahmat i Groznit në Premier Ligën e Rusisë, por edhe u përzgjodh si titullar në ndeshjen e radhës nga trajneri Rashid Rahimov.

Sfida ishte e vështirë, në fushën e Rostovit mbi Don, por futbollisti i kombëtares i dha shpresë ekipit mik nga Çeçenia. Një 11-metërsh i fituar nga shokët, iu besua atij për t’u gjuajtur dhe numri 21 nuk gaboi.

Për fat të keq, nuk mjaftoi ky gol i lojtarit të krahut, pasi Rostovi e tregoi veten se ishte shumë i fortë, duke realizuar dy herë, e duke fituar 2-1 ndeshjen e javës së 9-të, e duke mbetur vetëm tri pikë larg kreut.

Premier Liga njoftoi në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale, se ky ishte goli i dytë i Roshit në këtë sezon të kampionatit. Trajneri i Ahmatit, Rahimov, vlerësoi se pavarësisht humbjes mbeti i kënaqur me ekipin e tij, pasi Roshi dhe të tjerët dhanë maksimumin.

Që pas ndeshjes së vështirë ndaj Francës në eliminatoret e Euro 2020-ës, ku u kritikua për gabimet, Roshi ka reaguar dhe tashmë për të ka lavdërime.

Ai ishte i shkëlqyer në sfidën tjetër të Euro 2020-ës, ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, duke shënuar një gol, e duke krijuar rrjetën tjetër të realizuar nga Sokol Cikalleshi, ndonëse trajneri Edi Reja pret më shumë prej tij, sidomos që të jetë më i përqendruar dhe të shfrytëzojë maksimalisht potencialin që ka./ABC News Albania 24/7