“Performanca” e ekonomisë kosovare/ Ulja e shpenzimeve publike në 13.8 përqind

schedule14:21 - 20 Qershor, 2023

schedule 14:21 - 20 Qershor, 2023

Tensionet në veri të Kosovës po shtojnë rreziqet për ekonominë e vendit. Shqetësimet e para kanë ardhur nga komuniteti i biznesit dhe investitorët e huaj që paralajmërojnë të largohen për shkak të pasigurive të larta.

Situata nuk duket optimiste as në shifrat e buxhetit. Shpenzimet publike raportohet të jenë ulur ndjeshëm në pjesën e parë të këtij viti në 13.9% krahasuar me vitin e para pandemisë kur rezultonin 18.8%.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti në një reagim në rrjetet sociale e cilëson këtë performancë të dobët në ekonomi të qeverisë Kurti, që ka prodhuar efekte të shumta në mungesë të të ardhurave të pritshme, por edhe në ngadalësim të ekonomisë kosovare.

Ndërkohë, shqetësuese rezultuan edhe të dhënat e punësimit. Vetëm për tremujorin e parë të vitit statistikat zyrtare flasin për mbi 28 mijë persona më pak të punësuar.
Presionet inflacioniste nga ana tjetër e bëjnë edhe më të zymtë situatën në një kohë kur ende tregjet nuk janë stabilizuar. Inflacioni aktualisht në Kosovë ka prekur normën 5.5% ndërsa çmimet vijojnë të jenë të larta për shumë mallra e shërbime.

Organizmat ndërkombëtarë si FMN e Banka Botërore presin që rritja ekonomike e Kosovës të jetë modeste këtë vit, përkatësisht me 3.5 dhe 3.7% si rrjedhojë e pasigurive të vazhdueshme lidhur me luftën në Ukrainë, ndërsa së fundmi tensionet në veri të vendit duket se do ta përkeqësojnë edhe më tej situatën ekonomike të vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!