Provat sugjerojnë se shkatërrimi i digës Kahovka në zonën e kontrolluar nga rusët në Ukrainë, është shkaktuar nga një shpërthim i brendshëm që është detonuar nga Rusia, ka raportuar New York Times.
Diga u shkatërrua më herët gjatë këtij muaji. Duke cituar inxhinierë dhe ekspertë të eksplozivëve, gazeta amerikane tha se hetimi ka gjetur prova që sugjerojnë se pajisja shpërthyese ishte vendosur në një vendkalim në digë, ku dhe u detonua, duke shkatërruar digën më 6 qershor.
“Provat qartazi sugjerojnë se diga u shkatërrua nga shpërthimi që u krye nga pala që e kontrollon atë: Rusia”, tha NYT.
Kremlini e akuzon Kievin se ka sabotuar digën hidroelektronike, që kishte një rezervuar të madh të ujit, për të ndërprerë burimin kyç të ujit për Krimenë – që Rusia ka aneksuar paligjshëm nga Ukraina më 2014 – dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga kundërofensiva e saj “e dështuar” ndaj forcave ruse.
Ukraina e akuzon Rusinë se e ka hedhur në erë digën e epokës sovjetike që është nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit, që Moska nisi më 2022, duke shkaktuar përmbytje të mëdha, duke shkatërruar toka bujqësore dhe duke ndërprerë furnizimet me ujë për civilët. NYT citoi inxhinierët të kenë thënë se një ekzaminim i plotë i digës pas tërheqjes së ujit, mund të përcaktojë se si rrodhën ngjarjet që çuan në shkatërrimin e saj.
“Erozioni nga uji që kalon nëpër portat mund të kishte çuar në një dështim nëse diga do të ishte projektuar keq, ose nëse betoni i vendosur në të do të ishte nën standardet e kërkuara. Por, inxhinierët thanë se kjo ishte e pamundur që të ketë shkaktuar” shkatërrimin e digës, raportoi NYT.