Historia ‘flet’ kuq e zi/ Në pesë ndeshje me Moldavinë kemi arritur katër fitore dhe vetëm një barazim

schedule12:56 - 17 Qershor, 2023

schedule 12:56 - 17 Qershor, 2023

Pavarësisht se kush ka qenë në fushë apo në stol, kemi triumfuar. Moldavia mund të thuhet se është një nga “viktimat” tona të preferuara, diçka jo shumë e shpeshtë për një ekip modest si Shqipëria.

Ndaj rivalit të sotëm, Kombëtarja nuk ka provuar asnjëherë humbjen, dhe për fare pak mund të kishte pasur një bilanc qind për qind fitues. Ekipi kuqezi ka luajtur 5 ndeshje deri tani ndaj përfaqësueses së republikës ish-sovjetike duke arritur 4 suksese dhe një barazim. Historia nisi në 1995 në eliminatoret e Europianit, kur në 29 mars dominuam në “Qemal Stafa” me shifrat 3-0, me dy gola të Sokol Kushtës dhe një të Salvador Kaçajt.

Pak muaj më pas, në 7 qershor, kuqezinjtë me trajnerin Neptun Bajko në stol ia dolën në Çisinau 3-2, dhe rrjetat patën për autorë sërish Kushtën, Arjan Bellain dhe Rudi Vatën. U desh të kalonin 17 vjet për një miqësore që përfundoi 0-0 në Tiranë, ndërsa triumfet ishin bindëse edhe nën drejtimin e trajnerit Edi Reja në eliminatoret e Kampionatit Europian 2020.

Në “Elbasan Arena” u fitua 2-0 e golat u realizuan nga Sokol Cikalleshi dhe Ylber Ramadani. Së fundmi, fitorja ishte e jashtëzakonshme 4-0 në stadiumin e Çisinaut. Autorë të rrjetave ishin Cikalleshi, Keidi Bare, Lorenc Trashi dhe Rej Manaj./abcnews.al