Një 39 vjeçar është arrestuan në Shëngjin, pasi autoritetet italiane e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikimin e 100 kg kokainë dhe për pengmarrje.
Ardian Sufaj pritet të ekstradohet drejt vendit fqinj për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Ai u kap në një lokal në Shëngjin, pas informacioneve që policia shqiptare kishte marrë për vendndodhjen e tij. mësohet se gjatë momentit të ndalimit, Ardian Sufaj nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu.
39 vjeçari Sufaj cilësohet si kreu i një organizate kriminale në vendin fqinj që merrej me trafikun e kokainës. Gjatë periudhës tetor 2022- janar 2023, bashkë me persona të tjerë, ai ka blerë dhe trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori, me qëllim shitjen në Itali.
Gjatë transportimit kokaina është vjedhur nga persona të paidentifikuar dhe Ardian Sufaj me bashkëpunëtorë të tij kanë marrë peng një shtetas italian në kërcënimin e armës, me qëllim mbledhjen e informacionit për vjedhjen e kokainës.
Krahas aksionit për kapjen e 39 vjeçarit në Shëngjin, në Itali u zhvillua operacion për arrestimin e bashkëpunëtorëve të Sufajt. Mësohet se autoritetet në Itali arrestuan atje pesë shqiptarë, tre shtetas domenikanë dhe një tjetër person nga Ekuadori.
Pak ditë më parë, mediat italiane raportuan se përveç Ardian Sufajt, personat e tjerë të përfshirë në trafikun e kokainës janë identifikuar si Nevian Vasaj, Andrea Vasaj, Hane Sufaj dhe Andiol Xhindoli.
Anëtarët e këtij grupi criminal u zbuluan nga policia italiane nëpërmjet përgjimeve. Sipas tyre, anija ku ndodhej kontenieri me sasinë e 100 kg kokinë u nis më 20 nëntor, por dërgesa e drogës nuk arriti kurrë te marrësit. Në atë moment ka ndodhur edhe rrëmbimi i një shtetasi italian. Ai u fut në një makinë, dhe u detyrua t’i dërgonte mesazhe zanore hajdutit të dyshuar të drogës, më pas u kërcënua edhe për anëtarët e familjes.
Pasi policia prangosi në flagrancë një shtetas domenikanë dhe ekuadorianin, arritën të shpëtonin edhe italianin e marrë peng./abcnews.al

