Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën të premten në Bruksel në ditën e dytë dhe të fundit të bisedimeve që u përqëndrua tek mbështetja edhe më e madhe për Ukrainën, në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus, si dhe masat për të garantuar sigurinë euro-atlantike. Pas sulmit ndaj gazsjellësit Nord Stream dhe frikës nga akte të mundshme sabotazhi nga ana e Rusisë, NATO ra dakord për krijimin e një qendre të re që do të ndihmojë në mbrojtjen e tubacioneve dhe kabllove nënujore perëndimore.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se aleanca synon të përmirësojë marrëdhëniet me Kievin dhe këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe shndërrimi i komisioni aktual NATO-Ukrainë, në një Këshill NATO-Ukrainë, duke i dhënë Kievit një vend të barabartë në tryezë mes 31 aleatëve.
“Ambicia jonë është që takimi i parë i këshillit të ri të mbahet në Vilnius me pjesmarrjen e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Ne të gjithë jemi dakord që gjatë dekadës së fundit Ukraina eshtë afruar më shumë me NATO-n. Të gjithë aleatët pajtohen se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne nuk do të diskutojmë çështjen e ftesës në takimin e Vilniusit, por se si mund ta afrojmë Ukrainën më pranë NATO-s dhe kam besim se do të gjejmë zgjidhje dhe konsensus gjatë këtij takimi”.
Në hapje të takimit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg foli mbi kërcënimin që paraqet për Evropën lufta në Ukrainë.
“Agresioni i Presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës, përbën kërcënimin më serioz për sigurinë euroatlantike të një brezi. Aktualisht kemi mbi 40,000 trupa nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s dhe shumë të tjerë në gatishmëri të lartë, të gjithë të mbështetur nga mjete të rëndësishme ajrore dhe detare. Ne kemi dyfishuar numrin e grupeve luftarake shumëkombëshe nga Baltiku në Detin e Zi”, tha ai.
Ndërkohë sot ministrat e mbrojtjes të NATO-s nuk arritën një marrëveshje mbi planet e reja se si aleanca do t’i përgjigjej një sulmi rus. Sipas një diplomati, vendimi ishte bllokuar nga Turqia, për shkak te mosmarrveshjeve lidhur me formulimin e vendndodhjeve gjeografike, përfshirë dhe ato qe lidhen me Qipron. Megjithatë diplomati nuk e përjashtoi mundësinë për të gjetur një zgjidhje përpara takimit të nivelit te lartë të NATO-s, qe mbahet në korrik në Vilnius.
Të ashtuquajturat plane rajonale përfshijnë me mijëra faqe planesh sekrete ushtarake, që do të detajojnë se si aleanca do t’i përgjigjej një sulmi rus. Për dekada të tëra NATO nuk e kishte parë nevojën për plane të mbrojtjes në shkallë të gjerë dhe hartimi i dokumenteve nënkupton një ndryshim thelbësor. Por me fillimin e luftës më të përgjakshme në Evropë që nga viti 1945, aleanca ka paralajmëruar tashme se duhet të jetë gati përpara se të shpërthejë një konflikt me një kundërshtar tjetër si Moska.
Po kështu NATO ra dakord për krijimin e një qendre të re qe do te ndihmoje ne mbrojtjen e tubacioneve dhe kabllove nënujore perendimore pas sulmit ndaj gazsjellesit Nord Stream, dhe frikes nga akte te mundshme sabotazhi nga ana e Rusise.
Dy ditë diskutime mes ministrave të mbrotjes në Bruksel treguan se aleanca nuk është ende gati për një udhëheqës të ri. Takimi dëshmoi një rritje të mbështetjes për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, që të vazhdojë të qëndrojë në krye edhe pas përfundimit të mandatit të tij në muajin shtator. Kryeministrja e Danimarkës, një nga kandidatet e mundshme për postin, tha se nuk do të kandidonte. Por ajo shtoi se do ta mbështeste zotin Stoltenberg nëse ai do të ishte i gatshëm të zgjaste mandatin e tij. Edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se nuk ka në plan të kandidojë.
Zoti Stoltenberg, ka qenë zyrtari më i lartë civil i NATO-s që nga viti 2014. Mandati i tij do të përfundonte vitin e kaluar, por u zgjat për të garantuar stabilitet në krye të aleancës, pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius e bëri të qartë se do të mbështeste zotin Stoltenberg, nëse një gjë e tille do të ishte e nevojshme.
“Nëse nuk biem dakord për një kandidat, NATO nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë pa një sekretar të përgjithshëm dhe sigurisht që unë jam për një zgjatje të mandatit, veçanërisht pasi vlerësoj bashkëpunimin tone (me zotin Stoltenberg)“.
I pyetur të enjten nëse do të ishte i gatshëm të qëndronte në detyrë, zoti Stoltenberg nuk e përjashtoi kategorikisht një gjë të tillë, por u tha gazetarëve se ai vetë nuk kishte asnjë qëllim të kërkonte zgjatje të mandatit.
Në takimin e Vilnusit në Lituani më 11 dhe 12 korrik, udhëheqësit e NATO-s pritet të diskutojë mbi këtë çështje me synimin për të zgjedhur një pasardhës të zotit Stoltenberg. Por deri tani nuk është propozuar publikisht asnjë kandidat dhe zakonisht aleanca vendos me konsensus se kush duhet të emërohet.
Takimi i Vilnusit në nivel kryetarësh të shteteve do të shërbejë si një shfaqje simbolike e mbështetjes për Ukrainën. Udhëheqësit e aleancës pritet të nënvizojnë vendosmërinë e tyre për të vepruar nëse Presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet të zgjerojë luftën drejt perëndimit./VOA