BE do të përshpejtojë nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Meksikën

schedule18:28 - 16 Qershor, 2023

schedule 18:28 - 16 Qershor, 2023

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, është takuar me shefen e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, për të diskutuar disa çështje, përfshirë përpjekjet për një marrëveshje të tregtisë së lirë dhe ndryshimet klimatike.

Shefja e Komisionit të BE-së u takua dje me presidentin meksikan në Mexico City dhe të dy udhëheqësit ranë dakord të përshpejtojnë nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë deri në fund të vitit.

Sipas një njoftimi nga Komisioni i BE-së, von der Leyen dhe Lopez Obrador theksuan prioritetet e përbashkëta të luftimit të pabarazisë, varfërisë dhe problemeve të të drejtave të njeriut.

“Ata gjithashtu ranë dakord të ndjekim politika që promovojnë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, elastik dhe gjithëpërfshirës që favorizojnë drejtësinë sociale në të dy anët e Atlantikut”, tha Komisioni i BE-së.

Presidenti meksikan postoi një fotografi në Twitter me shefen e Komisionit të BE-së, duke përmendur bashkëpunimin ekonomik të palëve dhe marrëveshjen e tyre për të përshpejtuar bisedimet e tregtisë së lirë.

Sipas njoftimit të Komisionit të BE-së, palët theksuan çështje kritike gjatë takimit, përfshirë krizën klimatike, humbjen e biodiversitetit, emigrimin, shëndetin, inflacionin dhe sigurinë ushqimore.

Në njoftim theksohet se ata gjithashtu ranë dakord për nxitjen e investimeve të ndërsjella, teknologjinë dhe rrjedhat e njohurive për të “mirën e shoqërive”. Më tej, thuhet se Meksika ishte në një pozicion “strategjik” për të furnizuar pjesën tjetër të Amerikës së Veriut dhe Evropës me karburant të pastër hidrogjeni.

“Të dy presidentët e identifikuan Meksikën si një qendër strategjike energjetike, industriale dhe logjistike për të furnizuar tregjet e Amerikës së Veriut dhe Evropës, me një potencial të lartë në energjinë e gjelbër të hidrogjenit dhe ranë dakord se investimet evropiane do të jenë të rëndësishme për të kontribuar në zhvillimin e saj”, thuhet në njoftim.

Pasi filloi turneun e saj në Amerikën Latine me një vizitë në Brazil më 13 qershor, Von der Leyen zhvilloi takime me presidentët e Argjentinës dhe Kilit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!