Pas akuzave të kryeministrit Albin Kurti për mosreagimin lidhur me rrëmbimin e tre policëve në veri nga forcat serbe, KFOR-i ka thënë se misioni i tyre nuk ka qenë në zonën kur ndodhi ngjarja.
Në një komunikatë për media, KFOR-i shkroi të enjten se ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e Kosovës dhe të autoriteteve serbe.
“KFOR-i gjithashtu është në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për sundimin e ligjit, EULEX-in. Ne u bëjmë thirrje palëve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në komunikatë.
Ata gjithashtu theksuan se po monitorojnë situatën dhe se vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tyre, të dalë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.