Shkarkimi i kryeprokurores Katica Janeva ka paralizuar punën e Prokurorisë Speciale në Maqedoninë e Veriut. Lidhur me fatin e këtij institucioni pritet të diskutohet ditën e hënë në këshillin e posaçëm, ku në fokus do të jetë statusi i prokurorëve.
Mbrëmë Këshilli i Prokurorëve njëzëri vendosi që Katica Janeva të shkarkohet nga funksioni i prokurores speciale publike për shkak të sjelljes joprofesionale dhe të pandërgjegjshme. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aco Kolevski njoftoi se Këshilli do të vazhdon seancën nga dita e hënë ku edhe do të diskutohet për rregullimin e statusit të prokurorëve të tjerë në Prokurorinë Speciale Publike.
“Atë të hënën do ta konstatojmë me vendim. Qëndrimi i Këshillit është që nuk ekzistojnë kushte për emërim të u.d. kryetarit në Prokurorinë Speciale duke e pasur parasysh vetë ligjin për PSP ku është theksuar se propozimin për emërim të kryeprokurorit special e jep Kuvendi. Presim propozim nga Kuvendi dhe nëse dorëzohet do të veprojmë për propozimin, pasi që ligji ende vlen”, theksoi Kolevski.
Ai nuk dëshiroi të tregojë se çfarë do të ndodh me prokurorët, por tha se sipas të gjitha gjasave do të kthehen në prokuroritë amë. Ndryshe, me shkarkimin e Janevës, u ndërpritet funksioni edhe prokurorëve të tjerë të PSP-së. Procesi për shkarkimin e Janevës filloi më 5 shtator, kur Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me dyer të mbyllura për publikun, njëzëri dhe pa debat arriti në përfundimin që t’i propozoj Kuvendit shkarkimin e Janevës. Mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva, e cila është në paraburgim për rastin “Reket” skadon sot. Edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar përplasjet nga ana e partime maqedone për ligjin për Prokurorinë Publike. /ABC News Albania 24/7