Hong Kong, protesta zhvendoset para Konsullatës britanike

schedule13:55 - 15 Shtator, 2019

schedule 13:55 - 15 Shtator, 2019

Protestuesit në Hong Kong u zhvendosën përpara konsullatës britanike, duke i kërkuar Mbretërisë së Bashkuar ndihmë për të ruajtur autonominë. Manifestuesit deklaruan se formula “një vend, dy sisteme” ka vdekur dhe i kërkuan Londrës t’i bëjë presion Pekinit.

Disa qindra protestues në Hong Kong janë mbledhur jashtë konsullatës britanike duke i kërkuar Mbretërisë së Bashkuar që t’i bëjë presion Kinës për të ruajtur liritë e rëna dakord kur qyteti iu kthye Pekinit në vitin 1997. Manifestuesit kanë kënduar këngën “Zoti shpëtoftë mbretëreshën” dhe kanë valëvitur flamurin britanik. Ndërkohë, mijëra të tjerë kanë sfiduar urdhër-ndalimin e policisë dhe kanë marshuar nëpër qytet, duke kërkuar demokraci. Kina ka paralajmëruar vendet e tjera të mos ndërhyjnë në këtë çështje, duke thënë se është tërësisht një problem i brendshëm. Por nga ana e saj, Britania e Madhe ka deklaruar se ka një përgjegjësi ligjore për t’u siguruar që Kina t’i bindet parimit “një vend, dy sisteme”, i rënë dakord përpara dorëzimit të ish-kolonisë. Protestuesit morën një lëshim të madh nga qeveria më herët gjatë muajit kur ligji i ekstradimit, i kërkuar nga Kina mëmë, u anulua tërësisht. Por kjo lëvizje e qeverisë së rajonit autonom nuk i ka qetësuar protestuesit, të cilët vazhdojnë të bëjnë thirrje për demokraci dhe kërkojnë hetim për dhunën e përdorur nga policia. Edhe pse është pjesë e Kinës, parimi “një vend, dy sisteme” i jep Hong Kongut një shkallë të lartë autonomie dhe mbron një sërë të drejtash si liria e grumbullimit popullor dhe ajo e fjalës. Por protestuesit jashtë konsullatës britanike bërtisnin se formula në fjalë ka vdekur dhe kërkonin “çlirimin e Hong Kongut”. Disa aktivistë kërkuan madje që Mbretëria e Bashkuar të ndryshojë statusin e pasaportës për shtetasit britanikë që jetojnë jashtë, e lëshuar për banorët e Hong Kongut përpara se t’i jepej Kinës. Ajo i lejon poseduesit të vizitojë Britaninë për 6 muaj por nuk i garanton të drejtën për të jetuar dhe punuar atje. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!