Nations League do të vazhdojë sot në orën 21:00 me gjysmëfinalen e parë mes Holandës dhe Kroacisë.
“Tulipanët” u renditën të parët në Grupin 4 të Ligës A duke lënë pas Belgjikën, Poloninë dhe Uellsin. Nga ana tjetër, Kroacia debuton në këtë fazë, kjo pasi u pozicionua si forcë e parë në Grupin 1 në Ligën A duke lënë pas Danimarkën, Francën dhe Austrinë.
Holanda e nisi vitin 2023 me disfatën 4-0 ndaj Francës në kualifikueset e Euro 2024, por triumfoi ndaj Gjibraltarit 3-0 dhe pse duhet theksuar se disfata ndaj “Gjelave” ishte disi e rëndë për ambientin holandez.
Kroacia, e cila humbjen e fundit e ka regjistruar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022 ndaj Argjentinës, vjen me “humorin” e duhur në këtë përballje.
Kroatët triumfuan ndaj Turqisë në ndeshjen e fundit në transfertë dhe e kanë nisur mirë rrugëtimin drejt Europianit Gjermani 2024 me 4 pikë në dy ndeshjet e para.
Ajo që duhet theksuar është fakti se, Holanda dhe Kroacia ritakohen në një ndeshje zyrtare pas 25 vitesh sepse ndeshja e fundit zyrtare ishte ajo e 11 korrikut 1998 në “finalen e vogël” të Botërorit, Francë 1998, sfidë e cila u mbyll 2-1 në favor të kroatëve./ h.ll/abcnews.al