Rezarta dhe Krenare Dushi janë dy motra nga Podujeva, të cilat njihen ndryshe si “motrat e kitares”, të dyja motrat ndajnë një dashuri të njëjtë për muzikën, dhe vijnë nga një familje artistësh.
Të ftuara në “ABC e Mëngjesit”, ato kanë ndarë emocionet dhe detajet sesi janë bërë pjesë e botës së muzikës.
Ato janë shprehur se talenti dhe dashuria për muzikën vjen nga babai i tyre.
“Babai ynë prej shumë kohësh i bie çiftelisë dhe këndon. Por nga ne të dyja ishte Krenarja ajo që filloi të merrej e para me muzikë. Ndërsa unë tani shkruaj vepra klasike për opera” tha Rezarta.
“Kur unë isha 6 vjeçe nisa një kurs për kitare në Podujevë, Rezarta filloi të më shoqëronte, gjithmonë si më e madhja, deri sa një ditë u bë edhe ajo pjesë e muzikës,” tha Krenarja.
Babai i tyre i mbështet dhe i shoqëron vajzat kudo që ato shkojnë gjithashtu këndojnë shpesh së bashku.
“Prindërit janë përkrahja jonë më e madhe, babai na shoqëron kudo që ne shkojmë. Së bashku me babain ne bëjmë një ndërthurje midis kitares dhe çiftelisë. ” tha Rezarta.
Ato gjithashtu së shpejti do të publikojnë videoklipin e tyre të parë, në të cilin kanë kënduar të dyja dhe tekstin ja dedikojnë motrave.
“Në muajin korrik ne do të publikojmë videoklipin e parë së bashku, është një tekst i dedikuar motrave, është një këngë e shkruar për ne të dyja nga Fatmir Mujo,” tha Rezarta. /abcnews.al