Tritoli, arma që zhduk provat

schedule20:38 - 11 Qershor, 2023

schedule 20:38 - 11 Qershor, 2023

Nga Etleva Delia

Zhurma e këtij shpërthimi mund të jetë një mesazh.

Një kërcënim për hesape të pambyllura.

Apo paralajmërim për një gjobë të vënë që nuk është shlyer. Por nga ky shpërthim dikush mund të ketë mbetur i gjymtuar. Madje edhe i vrarë.

Shpërthimet e tritolit, të ndodhura jo rrallë në vendin tonë, kanë qenë të gjitha për një arsye të tillë. Dhe veç të tjerash kanë shkaktuar edhe terror tek qytetarët që nuk kanë pasur të bëjnë fare me historinë e askujt.

Eksplozivi konsiderohet si arma që nuk lë gjurmë dhe zhduk çdo provë. Një minë, prodhohet lirë, përdoret lehtë dhe pas shpërthimit të saj autorët është e vështirë të identifikohen.

Një nga autorët e arrestuar për këto ngjarje shprehej në gjykatë: Zgjodha këtë mënyrë pasi nuk doja të ballafaqohesha me viktimën. Eksplozivi nuk lë gjurmë në vendngjarje, kështu ndihesha më i sigurt…”

Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, shpjegon mënyrën se si prodhohen e montohen këto armë dhe përse është kaq e vështirë zbardhja e ngjarjeve të realizuara me eksploziv.

Fatjon Softa: “Lëndët eksplozive janë kthyer në një makth dhe një  mjet që përdoret shumë nga grupet kriminale. Jo vetëm nga grupet kriminale, por edhe nga persona, të cilët e përdorin atë si mjet ose për hakmarrje, për gjobëvënie, apo për të eliminuar kundërshtarët e tyre. Dhe prandaj është një shqetësim dhe një shqetësim që nuk shkon tek individi, por  mund të dëmtojë edhe të tjerë banorë, që janë rreth atij personi, i cili është objektivi.

Ka disa mënyra për aktivizimin dhe realizimin e tyre, siç janë telekomandat, kartat sim. Ose nëpërmjet fitilave, siç ishte rasti që pamë në zonën e Shkodrës dhe forma të tjera shpërthyese.

Ky është një shqetësim, i cili vjen edhe për shkak të qarkullimit të kartave sim, që në tregun e zi gjenden pa kufizim. Me një vlerë 20 mijë lekë të vjetra, apo 25 mijë lekë të vjetra mund të përdorin nëpërmjet këtyre celularëve të paidentifikuar për të realizuar atë që themi, shpërthim i kontrolluar apo shpërthim në distancë ndaj objektivit të caktuar.

Shpërthimi ka një element, sigurinë e ekzekutimit. Nëse është makinë, bën ekzekutim të sigurtë, nëse është në banesë patjetër krijon jo vetëm terror, tmerr por edhe mundësinë e ekzekutimit. Por më shumë se sa le gjurmë, është një mjet terrorist le të themi, sepse shkakton një lloj terrori dhe një lloj paniku e frike, jo vetëm për atë, që i çon mesazhin apo do të bësh ekzekutimin por për këdo që është i përfshirë në aktivitete kriminale që do t’i vijë radha apo jo për shkak të konflikteve.

Gjurmët patjetër që nuk janë të mundshme, por në rastet që janë zbuluar janë zbuluar për shkak të kamerave. Pra në momentin që është vendosur, vendi ku është vendosur dhe makinat që janë përdorur, më shumë këto kanë qenë gjurmë që kanë bërë zbulimin. Siç ishte rasti i përdorimit të eksplozivit për hedhjen në erë të një hoteli në Sarandë. Ishin kamerat që zbuluan personin që hyri dhe doli në atë moment. Apo personi tjetër, siç ishte rasti tek Liqeni i Thatë, ishte një nga kamerat që zbuloi një nga mjetet që ndiqte personin, të cilit do t’i bënin atentatin. Pra zakonisht kanë qenë kamerat që kanë zbuluar personin në momentin e vendosjes, por jo në momentin e shpërthimit”.

Përdorimi i eksplozivit në ngjarje kriminale në këto 30 vjet ka pasur një historik që në ndonjë rast bëhet i frikshme. Në vitin 1992 kanë ndodhur 18 ngjarje me eksploziv që erdhën duke u rritur vit pas viti.

Në vitet ’94 – ’95, 100 rastet e përdorimit të eksplozivit ishin të kryera në tri zona në Veri të vendit dhe për këtë arsye ky lloj krimi u konsiderua “krim me origjinë nga veriu”. Por shtrirja e këtyre ngjarjeve në zona të tjera, kryesisht në Gjirokastër bëri që konceptimi të ndryshonte.

Në vitit ’97 – ’99 ndodhën disa ngjarje me eksploziv që u cilësuan akte terroriste, 148 të tilla, 8 shpërthime në banesa gjyqtarësh, pa viktima por me dëme të konsiderueshme. 140 raste të tjera me dëm material rreth 3 milionë dollarë dhe 34 persona mbetën të gjymtuar.

Ngjarje të tilla vazhduan edhe në vitet në vazhdim. Për një periudhë të gjatë Kruja u konsiderua vendi më problematik, kryesisht pas nisjes së punimeve për fabrikën e çimentos. Një akt i mirëfilltë terrorist, i konsideruar në atë kohë si tentativë vrasje e ish-kryeministrit Ilir Meta, ndodhi në dhjetor të vitit 2000, ditën kur do bëhej përurimi i fabrikës.

Më pas, po në këtë zonë, shtyllat e tensionit të lartë u bënë objekt i vazhdueshëm i shpërthimeve me eksploziv.

Vitet e fundit, shpërthimet e tritolit u kthyen në një fenomen dhe u bënë të shpeshta, kryesisht në Vlorë dhe Tiranë.

Fatjon Softa: “Është e çiditshme, nga të gjitha ngjarjet po t’i analizojmë, ka ngjarje sikur shkojnë dhe kanë të njejtën gjë. Për shembull, kemi një periudhë që ka vetëm atentate. Dhe kemi vetëm atentate, atentate, përdorim i kallashnikovit, makina të djegura që largohen nga vendi i ngjarjes dhe digjen diku. Pastaj fillon pjesa e eksplozivëve. Kemi përdorimin e ekzplozivëve, ekzekutim me eksploziv, apo për presione të ndryshme që vendosen nëpër qepena lokalesh, biznesesh te ndryshme, banesash apo ekzekutime të personave. Pastaj kemi ngjarje të tjera, të cilat sikur kanë një lloj rregullimi. Pra kjo tregon se ka dhe një lloj influence le të themi, zgjimi të asaj bote të krimit, që e ka të planifikuar për të realizuar një atentat apo vepër kriminale, por në një farë mënyrë sikur gjallërohen dhe i kthen ata më aktivë në një ngjarje, apo në një model të përdorimit. Prandaj pjesa e eksplozivit kur është përdorur ka qenë më masive. Kur ka pasur një shpërthim është shoqëruar edhe me atentate, apo përdorim të këtyre lëndëve”.

Pjesa më e madhe e atentateve, që kanë shkaktuar plagosjen apo vdekjen e objektivit dhe që janë realizuar me eksploziv, vijojnë edhe sot të jenë pa autor.

Megjithëse, sidomos vitet e fundit, Policia ka goditur disa grupe që realizonin krime të tilla. Madje disa autorë, të kthyer në të penduar, kanë zbërthyer jo vetëm mekanizmin se si funksiononin këto grupe kriminale, por kanë treguar se sa me lehtësi sigurohet tritoli që përdoret në atentate. Kompani të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, shpesh janë bërë burim furnizimi për grupet kriminale.

Fatjon Softa: “Lëndët mund të gjenden në disa mënyra. Një pjesë janë brenda territorit shqiptar. Një pjesë i trajtojnë dhe i përdroin dhe i trajtojnë kompani të licencuara, si ata që meren me miniera, ata që merren me hapjen e rrugëve, etj., pra aty ku janë përdorur dhe perdoren, qoftë në mënyrë të legalizuar apo me lejen për mbajtje dhe përdorim të lëndëve eksplozive. Por sa buzohet me ta është një mundësi. E dytë janë futja në territorin tonë, kryesisht nga Kosova dhe vende të tjera të hapësirës ballkanike, që vijnë nga kufiri i gjelbër. Ndërsa një pjesë janë edhe të formuara apo të krijuara në rrugë të tjera, artizanale për t’i përgatitur lëndët shpërthyese”.

Atentate të realizuara me mina të komanduara në distancë apo edhe nga afër me fitil, herë kanë dështuar e herë janë realizuar. Ngjarje të tilla nuk mungojnë thuajse asnjë vit. Por disa prej tyre konsiderohen si akte terroriste.

Madje në vitin 2000, ish-prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi, vendosi rihetimin e të gjitha dosjeve të këtyre ngjarjeve të mbetura pa autor. Duke nisur nga ajo më e rënda, ngjarja e datës 26 shkurt 1996, vendosja e bombës në supermaketin VEFA, që vrau 4 qytetarë e plagosi 11 të tjerë në qendër të Tiranës. Shpërthimi i tritolit në banesën e gjyqtarit, Prel Martini, nëntorin e vitit 1996 dhe në banesën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, më 11 shtator të vitit 1998, ngjarje të ndodhura në Tiranë.

26 Shkurt 1996

Makina bombë shpërthen në Tiranë, 4 të vdekur 11 të plagosur

Një sasi prej 25 kg tritol e vendosur brenda një makine “Fiat”, që ngjante si makinë Policie, shkaktoi një ngjarje tragjike më 26 shkurt të vitit 1996 në qendër të Tiranës. Akti terrorist i hedhjes në erë të supermarketit të firmës VEFA pa dyshim konsiderohet ngjarja më e rëndë. Bilanci ishte tragjik, me 4 te vdekur dhe 11 te plagosur. Viktimat e asaj ngjarjeje ishin Vera Dume, Muhamet Karamani, Hasim Karamani dhe Vait Osmani.

Tritoli që rezultoi të ishte blerë në Lushnjë, ishte aktivizuar nga afër me fitil zjarrpërcjellës, nga një person që e afroi makinën pranë derës së supermarketit. Pasi bëri ndezjen, ai zbriti dhe u largua me vrap. Edhe pse fillimisht u ndaluan më shumë se 10 persona dhe u publikua identikiti i njeriut që vendosi makinën bombë me ngjyre blu, vetëm në tetor të po atij viti u deklarua se autoret ishin anëtarët e grupit “Hakmarrja për Drejtësi”. Ky ishte episodi i 18-të i dosjes së Prokurorisë, për te cilin ky grup është hetuar e gjykuar për vite të tëra, por asnjëherë nuk u arrit të provohet dhe të dënohet. Madje tashmë ata janë shpallur të pafajshëm.

25 Mars 2000

Parandalohet shpërthimi në stadiumin e Lushnjës, çaktivizohet bomba

Ishte mëngjesi i një dite të shtunë, 25 mars 2000, kur Policia Rrugore njofton Prokurorinë se, në afërsi të stadiumit të Lushnjës, në krahun e djathtë të portës kryesore, ishte diçka e dyshimtë. Të gjithë shkuan në vendin e ngjarjes, por askush nuk arriti të fuste duart për të çaktivizuar bombën me telekomandë.

Binte në sy një fill i lidhur me nastro të zezë dhe dy llamba, njëra e ndezur dhe tjetra herë fikej dhe herë ndizej. Prokurorët dhe oficerët e Policisë që ishin në vendngjarje, kërkuan teknik për çaktivizim. Por as ata që erdhën nga ministria nuk arritën të bënin gjë. Thanë se ishte sasi e madhe dhe personi që e kishte vendosur ishte shumë i specializuar.

Më pas, një polic tha se njihte një xhenier të ushtrisë, i cili merrej me çaktivizimin e minave. Ishte nga Elbasani. Quhej Riza Balla. Ai u njoftua dhe shkoi menjëherë aty. Për pak kohë, Balla arriti të çaktivizonte bombën. Por më parë porositi të gjithë të pranishmit që të largonin njerëzit. Oficerët e prokurorët e panë dhe mbetën të habitur se sa me shpejtësi, Riza Balla e largoi dinamitin copa–copa. Pasi u mor në pyetje në Drejtorinë e Policisë Kriminale, u mësua se ishte ky personi që e kishte projektuar këtë bombë, i detyruar nga krerët e grupit.

Gjithçka rezultoi të ishte një vepër e bandës së Lushnjës. Ishte 5 kg eksploziv. 4 kg ishte jashtë pakos dhe 1 kg brenda saj. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në vendin ku parkohej makina e shefit të komisariatit Sinan Meta. I binte që goma e pasme e makinës të qëndronte sipër eksplozivit. Riza Balla u mor në pyetje hollësisht në lidhje me këtë ngjarje. Në këtë kohë ishin në kërkim 4 persona që konsideroheshin të rrezikshëm, Aldo Bare, Erjon Cici, Enver Dondollaku dhe Maksim Çela. Pikërisht këta persona, u akuzuan se kishin organizuar të gjitha vrasjet dhe vëniet e bombave në banesat e policëve. Siç ishte rasti i vënies së bombës në banesën e policit Arben Boçi, ndihmës i Klenti Banos, i cili u vra në atentat nga anëtarët e bandës së Lushnjës.

Riza Balla ndërroi jetë më 12 maj të vitit 2005. Ai ishte një ish-ushtarak me banim në Elbasan dhe sipas Prokurorisë ishte paguar nga pjesëtarët e banës për të ndërtuar bombën me telekomandë, e cila ishte bërë enkas për të eliminuar shefin e komisariatit, Sinan Meta.

27 Shkurt 2005

Ekzekutohet me eksploziv në ashensor Vajdin Lame e miku i tij

Më 27 shkurt të vitit 2005, rreth orë 23:40, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse kanë gjetur vdekjen Vajdin Lame dhe Artan Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte Vajdin Lame, në rrugën “Dervish Hima”, në Tiranë. Lënda plasëse ka qenë e vendosur në kabinën e ashensorit dhe ka shpërthyer në momentin kur ashensori ndodhej në katin e pestë të ndërtesës, ndërsa ishte duke u ngjitur në katin e tetë.

Artan Arsi kishte mbaruar shkollën me Vajdin Lamen dhe ishin miq të vjetër. Arsi kishte jetuar në Shkodër, por prej rreth 4 muajsh, para se të vritej u zhvendos në Tiranë dhe jetonte me bashkëshorten e dy fëmijët në një banesë me qira pranë Stacionit të Trenit. Arsi punonte si menaxher në një firmë zvicerane për barna farmaceutikë dhe gjatë kohës që nisi të jetojë në Tiranë, takohej çdo ditë me Vajdin Lamen. Edhe natën para se të vriteshin të dy, Artan Arsi ka qëndruar në lokalin e Lames, duke e pritur derisa ai të ndahej nga dy arkitektë italianë, me të cilin ishte ulur në një kënd tjetër të lokalit dhe po bisedonin për rikonstruksionin e ish-kampit të punëtorëve në Durrës.

Sulmi që për shumë vite me radhë kishte mbetur pa autor, ishte realizuar falë një telekomandimi tepër profesional në momentin që dy shokët e fëmijërisë gjendeshin në ashensor, në një pallat pranë ish-stadiumit “Qemal Stafa”, sot “Air Albania”.  Pistat e para që u ngritën nga Policia në atë kohë lidheshin me aktivitetet e zgjeruara të Vajdin Lames.

Lame kishte mbaruar shkollën e Lartë të Bashkuar në degën zbulim dhe më pas kishte punuar si oficer ushtrie. Më vonë ishte emëruar shef Krimesh në Komisariatin nr.2 në Tiranë, ndërsa për rreth 6 maj ka qenë drejtor i Policisë së Shkodrës. Nga aty është transferuar me shërbim në Dragot të Tepelenës dhe më pas e kanë liruar.

Nga dëshmitë e shumta që u dhanë në lidhje me ngjarjen, u mësua se personi që ka vendosur eksplozivin në ashensor është futur lehtësisht në pallat, pasi në atë moment pallati ka qenë pa roje dhe dyert e garazheve e të pallatit rrinin të hapura. Në dëshminë që ka dhënë njëri nga vëllezërit e Lames, ka shpjeguar se në atë moment që ka ndodhur ngjarja, Vajdini ka qenë duke shkuar në shtëpi, që ndodhet në katin e tetë të kullës ku është edhe lokali i vëllait tjetër të tij, bashkë me shokun e vet Artan Arsi.

Që në atë kohë pati dyshime se një nga autorët mund të kishte qenë Emiljano Shullazi.  Pas 15 vitesh, SPAK zbardhi vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe të Klodian Saliut, që ndodhën vetëm pak orë nga njëra-tjetra. Me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, u shpallën në kërkim Lulzim Berisha dhe Plaurent Devishaj. Ndërsa i është komunikuar akuza në burg Emiljano Shullazit. Njoftimi zyrtar i SPAK erdhi dy ditë pas arrestimit në Kosovë të Indrit Taullait, ndërsa pas tij u arrestua edhe Viktor Ymeri. Këta persona tashmë po gjykohen në lidhje me këto dy ngjarje në Gjykatën e Posaçme.

5 Mars 2005

Ekzekutohet me eksploziv anëtari i bandës së Lushnjës

Banda e Lushnjës ka ekzekutuar me bombë me telekomandë Enver Rabinë, më 5 mars të vitit 2005, në Tiranë. Rabija ka rënë pre e një kurthi të organizuar nga ushtarët e Aldo Bares. Ata e kishin urdhëruar për të eliminuar një nga ish-punonjësit e Policisë së Shtetit që i kishte sulmuar në vitin 1997. Por në momentin që Rabija është nisur në rrugën “Don Bosko”, në Tiranë, bomba që mbante në dorë ka shpërthyer, duke e lënë të vdekur në vend. Historia e mësipërme është treguar para Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga një shok i ngushtë i Rabisë. Dëshmitari Pëllumb Beqiri, një efektiv i policisë në Burgun e Rrogozhinës, deklaron detaje të pathëna të ekzekutimit mafioz të Rabisë. Ai ka treguar se ka takuar Enverin tri ditë para ngjarjes në një lokal në Tiranë. Gjatë takimit, i ka thënë se “banda më do të vdekur dhe më ka lënë një detyrë të vështirë”.

Në dosjen e Prokurorisë shpjegohet ngjarja e ndodhur në orën 04:30 të mëngjesit, në vendin e njohur si “pallatet e sizmikut”, ku u gjet trupi i pajetë i një personi që për shumë kohë mbeti i paidentifikuar. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për shtetasin Enver Rabija. Ngjarja në fillim u hetua në tri drejtime. Si një ngjarje aksidentale, që viktimës mund t’i kishte plasur mina në dorë dhe ishte nisur për ta vënë në ndonjë ndonjë shtëpi. Kjo për arsye se në pallatin ku ndodhi ngjarja jetonin disa prokurorë dhe oficerë policie. Madje jetonte edhe nëna e oficerit Klenti Bano, një oficer Policie që u vra nga banda e Lushnjës. U hetua edhe si një vetëvrasje e mundshme dhe si një ekzekutim. Më vonë rezultoi se bëhej fjalë për vrasje.

9 Shtator 2011

Eksplozivi hedh në erë makinën, vritet Skerdilajd Konomi

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Atë mëngjes, gjyqtari i ri ishte me mjaft nxitim për në punë. E priste një ditë e ngarkuar me shumë gjyqe. Teksa po hipte në makinën e tij, vuri re që i kishte rënë goma dhe duke qenë se nxitonte hipi në makinën tjetër. Një makinë tip “Benz”, model i vjetër, që kryesisht e përdorte bashkëshortja. Por duket se e gjithë kjo ishte një kurth për të. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në makinën ku ai hipi dhe jo në atë me gomë të rënë.

Konomi udhëtoi vetëm pak metra dhe makina shpërtheu në ecje. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor. Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi kryerjen e veprimeve hetimore, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit të krimit.

9 Maj 2012

Ekzekutohet inxhinieri palestinez Anwar Rizik

Është mëngjesi i datës 9 maj 2012. Ora shënon 7 e 35 minuta. Një shpërthim i fuqishëm trondit edhe muret rrethuese të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Një sasi eksplozivi shpërthen vetëm pak metra larg saj, në një vilë dy katëshe në sheshin mes rrugës që të çon nga Liceu Artistik për në Qytetin Studenti.

Eksplozivi ishte lidhur nga jashtë portës së kësaj vile, ku jetonte zëvendësdrejtor i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë. Anwar Rizik, 43 vjeç, shtetas palestinez ishte duke dalë nga shtëpia në atë moment. Ai jetonte aty me gruan e tij shqiptare dhe djalin 5-vjeçar. Po nisej për në punë, drejt Fushë-Krujës, por fillimisht do shoqëronte djalin për në kopsht.

Nuk ka arritur të bëjë asnjë hap përtej portës. Sa e hapi, eksplozivi u aktivizua e shpërtheu duke e lënë të vdekur në vend. Fatmirësisht djali i tij i mitur, edhe pse ndodhej vetëm 3 metra larg tij, nuk pësoi asgjë. Ndërsa 43-vjeçari Anwar Rizik, mbeti i vrarë në mënyrën më makabre, duke pësuar gjymtime në pjesë të ndryshme të trupit.

Gruaja e tij shqiptare, e alarmuar nga ngjarja ka nxituar të lajmërojë policinë, nëpërmjet sallës operative. Ndërsa për shkak të distancës së afërt me vendin ku ndodhi shpërthimi, por edhe të alarmuar nga ajo çfarë kishte ndodhur, në vendin e ngjarjes kanë shkuar të parët personeli i Ambasadës Amerikane.

Sipas policisë, eksplozivi ishte vendosur në vendin ku bashkohen dy kanatet e portës. Zona ku ndodhi ngjarja, ka qenë e vëzhguar nga kamera sigurie, por asnjë prej tyre nuk ka fokusuar autorin. Pritej ekzaminimi i kamerave të Ambasadës Amerikane, 20 metra larg vendit të ngjarjes, por nga këqyrja paraprake nga vetë personeli i ambasadës, ka rezultuar se nuk kanë filmuar autorët e ngjarjes.

Inxhinieri Anwar Rizik, i cili prej një viti kishte marrë edhe shtetësinë shqiptare, punonte dhe jetonte prej rreth 14 vitesh në Shqipëri.

Policia shoqëroi disa banorë të fshatit Zall të Krujës, por asnjëherë s’u arrit dokumentimi me prova shkencore për përfshirjen e tyre në atentat. Ngjarja u hetua si vazhdim i disa sulmeve të mëparshme me eksploziv ndaj fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

Më 2 mars të vitit 2001, pas disa sulmeve të mëparshme, në tentativë për të vendosur tritol në fabrikën e çimentos autorët plagosën rojën e sigurisë. Autorët, të pajisur me të paktën dy kallëpe tritoli, që u gjetën në vendngjarje, kanë shkuar në hyrje të godinës së administratës. Atje kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse. Por në momentin që kanë tentuar ta ndezin janë diktuar nga patrulla e policisë.

Në atë moment ka pasur shkëmbim zjarri dhe si pasojë ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë polici Fadil Hysaj, 29 vjeç. Ky ishte sulmi i radhës ndaj firmës libanezo-angleze dhe arsyeja ishte privatizimi, pasi disa banorë të zonës, ish-pronarë të tokës, ishin kundër. Ata që në fillim kishin kërkuar të bëhen pronarë të një pjese të fabrikës dhe kanë qenë kundër vendimit të Qeverisë për t’i kompensuar me toka në vend tjetër. Për këtë arsye, ditën e inaugurimit të privatizimit, më 11 dhjetor të vitit 2000, disa prej banorëve tentuan të kryejnë atentat edhe ndaj kryeministrit Ilir Meta. Disa prej tyre u arrestuan.

8 Shtator 2013

Hidhet në erë makina e ish-të dënuarit, plagoset rëndë

8 shtatorin e vitit 2013, makina e një ish-të dënuari për vrasje u hodh në erë me eksploziv. Ngjarja ndodhi në afërsi të Laprakës në Tiranë, kur makina “Benz CLK”, kabriolet, shpërtheu në ecje, para një karburanti. Pasi ka bërë ecje të lirë përgjatë 250 metrash, mjeti ka ndaluar vetëm pas përplasjes me trafikndarësen e rrugës “Dritan Hoxha”, pranë kryqëzimit të Laprakës.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, ka mbetur i plagosur rëndë, drejtuesi i mjetit, Petrit Marku, i sapokthyer nga Beligjika, i cili para një viti kishte përfunduar dënimin për vrasje. Nga shpërthimi, Marku pësoi dëmtim të të dy këmbëve. Tre personat e tjerë që ndodheshin në makinë me të, e dashura e tij holandeze dhe dy nipat e tij fatmirësisht kanë pësuar vetëm disa plagë të lehta. Në atë kohë Policia dyshonte se ngjarja e rëndë mund të ishte kryer për motive hakmarrje, në lidhje me vrasjen që Petrit Marku kishte kryer në Tiranë në vitin 1999. Ndërsa në lidhje me llojin e eksplozivit, burimet thanë se ekspertët e xhenios dyshonin se bëhej fjalë për C4 që ishte aktivizuar me celular.

25 Janar 2014

Goditet grupi i tritolit, kryen disa vrasje me pagesë

Më 25 janar të vitit 2014, Policia e Tiranës zbuloi një arsenal armësh, municioni dhe minash me celular, në një apartament në rrugën “Him Kolli”, që ndodhet mes rrugës së Kavajës dhe “Myslym Shyri”. Banesa ishte marrë me qira prej disa muajsh nga Julian Sinanaj, që më vonë rezultoi një vrasës me pagesë që kishte marrë porosi për disa krime të rënda.

Policia gjeti në apartamentin e tij 10 mina të telekomanduara si dhe një sasi municionesh luftarake mes të cilëve edhe automatik me silenciatorë, si dhe një pushkë me snajper.

Ndriçim Gjokona dhe më pas edhe Julian Sinanaj, i akuzuar si vrasës me pagesë në procesin ndaj “bandës së tritolit”, pranuan bashkëpunim me drejtësinë. Ishte Gjokona ai që denoncoi Sinanajn nga frika se mos e eliminonte. Të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.

Dy të penduarit e drejtësisë, ishin krahu i armatosur i një grupi kriminal prej 7 anëtarësh, që u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje me pagesë, vepra për qëllime terroriste, prodhim dhe shitje të lëndësh plasëse dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Shtatë të pandehurit u akuzuan për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj, si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.

17 shkurt 2015

Goditet grupi i vrasësve, kryenin edhe atentate me eksploziv

Më 17 shkurt të vitit 2015, pas dhjetëra sulmeve me eksploziv të ndodhura në vend, Policia arriti të zbulojë dhe të arrestojë një grup personash të dyshuar si autorë të disa prej ngjarjeve.

Më shumë se një javë nga arrestimi i personave të dyshuar si vrasës me pagesë, Policia e Shtetit foli zyrtarisht për krimet që ata dyshohej të kishin kryer, duke i quajtur grup të strukturuar kriminal. Haki Çako, në atë kohë zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë shprehej se ky grup drejtohej nga burgu prej të dënuarit përjetë, Admir Tafili, i cili sipas tij kishte rolin e ndërmjetësit, pasi porositë për krimet i jepte tjetër kush.

Përveç krimeve që ishin bërë publike në media në atë kohë, të arrestuarit Alfred Qefalia, Kristi Pine dhe Aleksandër Gora, ishin paguar edhe për atentatin me eksploziv ndaj drejtorit të burgut të Fushë-Krujës, Arben Sulo, ngjarje e ndodhur në Durrës, më 19 janar të vitit 2015, ku Sulo mbeti i plagosur rëndë. Po ashtu autorët ishin paguar edhe për dy ngjarje të tjera në Pogradec, të cilat nuk i kishin realizuar dot.

Haki Çako: “Është bërë e mundur zbulimi i një grupi të strukturuar kriminal, me tendencë vrasjet me pagesë me armë zjarri dhe vendosjen e lëndëve shpërthyese, eksploziv. Grupi kriminal i dokumentuar perbehet nga shtetasit: Admir Tafili, aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm, Alfred Qefalia, Kristi Pine, Aleksandër Gora, shtetasi A.O., shtetasi V.Z., të shpallur në kërkim”.

Grupi i vrasësve me pagesë u akuzuan edhe për vrasjen me eksploziv C4 e ndërtuesit Armando Çeka, për të cilën ishin paguar me 5 mijë euro. Kjo ngjarje ndodhi më 26 shkurt të vitit 2014 dhe u plagosën rëndë objektivi i sulmit, Çeka, juristi i tij, Julian Çela dhe truproja Artur Sharra.

9 Shkurt 2021

Atentati me eksploziv më Kamzë, zbulon grupin e disa krimeve

Një atentat me bombë ndodhi mëngjesin e 9 shkurtit të vitit 2021 në zonën e Kamzës, në Tiranë. Gjon Mena, sapo doli nga shtëpia e tij dhe do të hipte në makinë kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Bomba dyshohet se u aktivizua në momentin që ai hapi automjetin e tij.

Dy javë më vonë, ngjarja u zbardh nga Policia dhe një prej autorëve të arrestuar, Enver Jamaku, pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke u kthyer në të menduar. Ai tregoi se mina me telekomandë e përdorur në atentatin ndaj Gjon Menës, ishte marrë Shkodër. Përveç dy kushërinjve Enver e Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukalit, të përfshirë rezultuan edhe dy persona të tjerë të përmendur në dëshminë e të penduarit.

Një prej personave që shoqëronte Gjergj Cukalin në takime me Enver Jamakun ka qenë mjaftë i interesuar që puna të shkonte deri në fund. Sipas dëshmisë së të penduarit, ky shtetas ishte mesatar në trup, me dialekt nga veriu. Në një rast, rezulton se ky person ndiqte kushërinjtë Jamaku për të parë nëse do bënin punën, duke qëndruar pranë banesës së Gjon Menës.

Gjatë dy muajve të përgatitjes së planit rezulton se ka pasur shpesh debate mes Cukalit dhe Enver Jamakut për vonesën, ndërsa duket se atentati dështoi pasi mina nuk u montua dhe ngjit siç duhet nga Ermond Jamaku, i cili rezulton ta ketë vendosur poshtë makinës pa e montuar.

11 Qershor 2022

Ekzekutohet me eksploziv në makinë Aleksadër Sadikaj

Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi, që ndodhi më 11 qershor të vitit 2022 në afërsi të Saukut i mori jetën 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.

Ai u plagos rëndë e më pas humbi jetën pasi makina e tij u hodh në erë në ecje. Gjashtë muaj më vonë ndodh një tjetër vrasje në Tiranë, që u dyshua se u krye edhe për hakmarrje ndaj ekzekutimit me tritol të Sadikajt.

U vra Edmond Papa, i cili rezultoi ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve.

Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Por pas vrasjes së tij, më 16 dhjetor 2022 dhe pasi nisën të identifikohen autorët e dyshuar, emri i Papës filloi të lidhej edhe më shumë me shpërthimin që i mori jetën Aleksandër Sadikajt.

Në fillim të këtij viti, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt. Velo është arrestuar natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit. Ai po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës.

Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

3 Tetor 2022

Dy vëllezër të arrestuar tregojnë si e siguronin tritolin

Indrit dhe Gentian Beqiraj, dy vëllezërit që u arrestuan më 3 tetor 2022 në Durrës, pasi dyshohet se merrnin porosi për vrasje, kanë zbërthyer mekanizmin e funksionimit të grupit kriminal, të cilët kishin krijuar bazë me armë dhe municione, duke gjetur edhe furnizuesit.

Në dosjen penale në ngarkim të tyre thuhet se, në vijim të hetimeve të kryera rezulton së lënda plasëse e gjetur në banesën e shtetasve Gentjan dhe Indrit Beqiraj është importuar nga subjekti “Reden” dhe i është shitur subjektit “Gerti” me faturën që mban datën 1 qershor 2022. Shitje që është bërë  me autorizimin e Komisariatit të Policisë Bulqizë, të datës 31 maj 2022. I  pyetur lidhur me këtë fakt, administratori i shoqërisë “Gerti ka deklaruar se aktiviteti i shoqërisë ka të bëjë me shfrytëzimin e minierës së kromit në zonën e Bulqizës dhe në funksion të këtij aktiviteti përdorin dhe lëndë plasëse.

Lëndën plasëse e sigurojnë duke e blerë konform rregullave nga subjektet që e importojnë atë. Për kryerjen e procedurave kanë administratorin lokal dhe pasi blihet lënda ajo magazinohet në magazinën e kompanisë. Në vijim nga punonjësit përkatës merret lënda plasëse nga magazina konform rregullave për t’u përdorur për punë. Ka njëmbëdhjetë punonjës që kanë të drejtën për të tërhequr lëndën plasëse, por  nuk ka dijeni saktësisht se kush e ka tërhequr lëndën plasëse që është sekuestruar nga policia.

I pyetur lidhur me ngjarjen, administratori i shoqërisë EGI- K ka deklaruar se kanë leje të posaçme për magazinimin dhe shpërndarjen e lëndëve plasëse, konform akt-marrëveshjeve të miratuara dhe nga policia vendore. Subjekti “Gerti” është klient i tyre në drejtim të magazinimit të lëndës plasëse dhe dalja e lëndës  plasëse bëhet nëpërmjet magazinierit, i cili evidenton dhe mban dokumentacionin përkatës të shpërndarjes.

Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se lënda që është sekuestruar është tërhequr nga zjarrmëtari i subjektit “Gerti”, shtetasi Kristian Lica. I pyetur gjatë hetimit , ky person ka deklaruar se punon si minator dhe zjarrmëtar pranë shoqërisë “Gerti”. Detyra e tij ka të bëjë me hapje të vrimave për  vendosjen e lëndës plasëse si dhe shpërthimin me anë të elektricitetit të saj, në galeritë e minierës. Lëndën plasëse e tërheqin kundrejt nënshkrimit tek magazinat e shoqërisë EGI -K. Rasti konkret nuk i kujtohet pasi kanë kaluar rreth 8 muaj dhe ai bën shpesh tërheqje në magazinë. Shpesh herë ndodh që nuk e përdorin gjithë lëndën plasëse dhe e mbajnë në galeri për ta përdorur ditën e nesërme.

Atentatet me tritol mbeten ndër vite si ngjarje pa autor dhe me vështirësi për t’u zbardhur. Arma që nuk lë asnjë provë, nuk le shteg as për zbulimin e autorëve. Por edhe ngjarje të tilla mund të parandalohen.

Fatjon Softa: “Gjithmonë skeda që Policia ka, informacioni që ka, duke rritur gjithmonë e më tepër kontrollin e territorit. Koncepti i kontrollit të territorit duhet të bëhet update sipas kushteve të reja. Nuk mund të rrinë po me ato format klasike të kontrollit të territorit. Kontroll i territorit do të thotë që, të gjitha organet ligjzbatuese, por jo vetëm ata, edhe pushteti lokal e të gjitha strukturat e tjera, duhet të jenë nën një rakordim për sa i përket kontrollit të territorit. Ne kemi thënë gjithmonë që kush do të gjejë një armë e gjen. Emisione të ndryshme investigative kanë treguar që kanë dashur të blejnë, siç ka qenë edhe rasti i fundit, që shkon për të blerë armë dhe një punonjës Policie shiste armë. Ashtu siç shesin armën dhe një person që donte shkoi dhe e gjeti, në të njëjtën mënyrë vepron edhe ai që do të blejë eksploziv. Nëse do të kishim më shumë agjentë dhe agjentë kemi, nëse do të kishim më shumë punonjës dhe pafundësisht ne kemi dhe nëse do kishim më shumë informatorë dhe pse jo t’i bëjmë me pagesë qoftë edhe këta informatorë, atëherë do të kishim mundësi që të depërtonim, të shkonim tek të gjithë këto grupe dhe persona, të cilët shesin lëndë eksplozive, armë apo lëndë narkotike. Nëse do të kishim këtë mundësi, do të kishim goditje, në radhë të parë përgjime, do të kishim një informacion më të zgjeruar për të gjetur rrethin. Sepse nuk është personi vetëm. Nëse ne do të kapim një person, gjithmonë është një tjetër që do të dalë dhe do të kryejë të njëjtën detyre. Ne duhet të shkojmë tek organizimi, shtrirja, aktiviteti. Rastet e policisë italiane apo policive të tjera, kanë pasur përgjime që kanë qenë nga 3 muaj deri në 3 vjet. Pse kanë qenë 3 vjet? E kanë mbajtur nën kontroll aktivitetin kriminal, një aktivitet të paligjshëm. Sepse duhet të shkohet deri tek fundorët. Tek ata që janë dhe përdoren për ekzekutime, duke u dhënë prioritet patjetër atyre që janë inspiruesit, financuesit, ata që prodhojnë apo do të prodhojnë vepra të tilla kriminale. Nëse ne do të kishim një veprim të tillë në të gjithë territorin, ngjarje të tilla do vinin duke u minimizuar dhe po ashtu do vinte duke u minimizuar përdorimi i këtyre lëndëve në shkallë territori.

Ngjarje të tilla shkaktojnë viktima, të gjymtuar, shkaktojnë terror të qytetarët. Dëmet janë të pakthyeshme. Një minë shkatërron gjithçka dhe nuk lë pas asgjë. Çfarë mbetet, janë vetëm pyetjet pa përgjigje të familjarëve të viktimave. Ata presin të vihet drejtësi. Por një ngjarje e tillë mund të mbulohet me mister për vite të tëra./abcnews.al