Johnson: Nuk trembem nga askush, Brexit me 31 tetor!

schedule22:45 - 13 Shtator, 2019

schedule 22:45 - 13 Shtator, 2019

Kryeministri Boris Xhonson ka deklaruar se nuk trembet nga askush dhe asgjë për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja më 31 tetor. Por teksa mbante fjalimin në një event, Xhonson është ndërprerë nga audienca, që i ka kërkuar të kthehet në Parlament dhe të zgjidhë rrëmujën që ka bërë.

Kryeministri britanik Boris Xhonson ka deklaruar se nuk do të trembet nga askush për ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja më 31 tetorin e ardhshëm. Xhonson tha se ka një optimizëm të moderuar për të arritur një marrëveshje për Breksit, por shtoi se Britania do të largohet nga blloku europian në datën e përcaktuar çfarëdo që të ndodhë. Deklaratat e Xhonson vijnë pak ditë përpara një takimi që ai do të zhvillojë me presidentin e Komisionit Europian, Zhan Klod Junker dhe negociatorin e BE për Breksit, Mishel Barnier. Ndryshe nga Xhonson, ky i fundit deklaroi të premten se nuk ka asnjë arsye për të qenë optimist për një marrëveshje. Ndërkohë, gjatë fjalimit të mbajtur në një event në Rothërhem, Xhonson u ndërpre nga një person nga audienca, që i bëri thirrje të kthehet në Parlament dhe të zgjidhë rrëmujën që ka bërë. Më herët gjatë javës, Parlamenti britanik miratoi një ligj që e detyron zotin Xhonson të kërkojë një shtyrje për Breksit. Në bazë të ligjit, ai duhet t’i shkruajë Brukselit më 19 tetor për t’i kërkuar 3 muaj shtesë, përveç rastit nëse arrin një marrëveshje. Kjo e fundit duhet të miratohet nga Parlamenti, ndryshe i hapet rruga daljes pa një akord, që konsiderohet opsioni më ogurzi për Mbretërinë e Bashkuar. Por pavarësisht ligjit të ri, Xhonson tha se më mirë të vdesë se sa të kërkojë një shtyrje të re. /ABC News Albania 24/7