Zelensky thotë se ka filluar kundërsulmi ukrainas

schedule16:51 - 10 Qershor, 2023

schedule 16:51 - 10 Qershor, 2023

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën, më 10 qershor, se një kundërsulm ndaj forcave ruse është tashmë duke u zhvilluar por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj.

“Veprimet kundërsulmuese dhe mbrojtëse po zhvillohen në Ukrainë: në të cilën fazë nuk do të flas në detaje”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, shkruan REL.

Një gazetar i kërkoi Zelenskit të komentonte pasi presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se kundërofensiva e shumëpritur e Kievit tashmë po dështonte.

“Është interesante se çfarë tha Putin për kundërsulmin tonë. Është e rëndësishme që Rusia ta ndiejë gjithmonë këtë: se nuk ka shumë kohë, për mendimin tim”, tha Zelensky.

Ai shtoi se ishte në kontakt të përditshëm me komandantët ushtarakë, duke përfshirë shefin e forcave të armatosura, Valery Zaluzhny, dhe “të gjithë janë pozitiv tani — thuaja këtë Putinit”, u shpreh Zelensky.