Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit italian, në stolin e parlamentit ishte një foshnjë, teksa deputetja Gilda Sportiello i dha gji djalit të saj Federico në dhomën e deputetëve dhe shkaktoi duartrokitje nga kolegët e saj.
Një ngjarje e tillë do të ishte e zakonshme në shumë vende, por në parlamentin e Italisë tradicionalisht të dominuar nga meshkujt, ajo tërhoqi miratimin nga deputetwt, raporton Reuters.
Kryetari Djordjo Mule tha se kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë dhe vuri në dukje se të gjithë të pranishmit japin mbështetjen e tyre të plotë për nënë e bir.
“I urojmë Federicos një jetë të gjatë, të lirë dhe të qetë. Dhe tani do t’i zhvillojmë bisedat tona pa zhurmë“, tha Mule.
Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni i Rregullores Parlamentare vendosi që gratë deputete mund t’i ushqejnë me gji foshnjat e tyre deri në moshën një vjeçare.
“Shumë nëna janë të detyruara të shkojnë në punë dhe për shkak të kësaj detyrohen të ndalojnë dhënien e gjirit të foshnjave të tyre”, tha një deputete e Lëvizjes 5 Yjet me prirje të majtë./abcnews.al