Rei Manaj është përzgjedhur nga UEFA si autori i veprimit më të bukur në ndeshjet e fundit eliminatore të Euro 2020. Vlerësimi erdhi për pasimin e tij për golin e shënuar nga Elseid Hysaj.
Ishte një veprim vërtet i rrallë. Jo shumë lojtarë në botë do të bënin atë që realizoi Rei Manaj, në momentin e golit të Elseid Hysajt. Pikërisht ky moment u përzgjodh nga UEFA si veprimi më i bukur i mbrëmjes në ndeshjet eliminatore të Europianit.
Kjo u publikua në faqen zyrtare të Euro 2020-ës në Facebook. Një vlerësim i merituar për sulmuesin shqiptar, që u rikthye me këmbën e mbarë në kombëtare. Paraqitja e tij ndaj Islandës, në fitoren 4-2, ishte mjaft e mirë, duke justifikuar besimin që i dha trajneri Reja duke e vendosur titullar.
Ai luftoi fort për 90 minuta duke qenë rrezik i vazhdueshëm për portën kundërshtare, sidomos në pjesën e parë, por edhe pas pushimit. Shpresa është që 22-vjeçari të ketë arritur pjekurinë si futbollist dhe të realizojë plotësisht potencialin e tij të rëndësishëm.
I lindur në Lushnje, ai u bë pjesë e Interit në 2015, duke arritur edhe në ekipin e parë, por pastaj duke u huazuar në Itali e Spanjë. Një nga sulmuesit më të mirë kuqezinj të brezit të tij, Manaj ka luajtur vetëm 6 ndeshje me kombëtaren e ka shënuar 1 gol, por besimi është se do të bëjë shumë më tepër./ABC News Albania 24/7