Osmani për Reuters: Peticioni, mënyra më demokratike për të shpallur zgjedhje të reja në veri

schedule12:54 - 7 Qershor, 2023

schedule 12:54 - 7 Qershor, 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mund të zhvillojë zgjedhje të reja në komunat veriore nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë. Në një intervistë për Reuters, ajo shtoi se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, tha Osmani. Ajo shtoi se shkarkimi i kryetarëve të komunave përmes një peticioni votuesish do të ishte “një lloj referendumi” i cili do të hapte rrugën për një votim të dytë në veri.

Sipas Osmanit, i gjithë procesi mund të kryhet brenda disa muajsh. Osmani theksoi se para se të shpallen zgjedhjet e reja, faktori ndërkombëtar duhet t’i sigurojë Kosovës se Beogradi nuk do të ndërhyjë. Serbia mohon akuzat e Kosovës se ka penguar kandidatët serbë të kandidojnë në zgjedhje./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!