Koreja e Jugut mobilizoi të martën avionët e saj luftarakë pasi avionët ushtarakë të Kinës dhe Rusisë hynë në zonën e saj të identifikimit ajror në jug dhe në lindje të Gadishullit Korean – një incident që pasoi dy shkëmbimet e mëparshme mes forcave amerikane dhe atyre kineze në Ngushticën e Tajvanit dhe në Detin e Kinës Jugore.
Zona e identifikimit ajror nuk është pjesë e hapësirës ajrore të Koresë së Jugut. Megjithatë asnjë prej këtyre dy vendeve nuk dhanë njoftim paraprak se avionët e tyre do të hynin në këtë zonë, tha agjencia koreanojugore e lajmeve Yonhap.
Incidentet me mjetet kineze koinçiduan me stërvitjet detare trepalëshe mes rojave bregdetare të Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Filipineve, në Detin e Kinës Jugore.
Incidentet e tilla rrisin rrezikun për gabime dhe përshkallëzim, ndërkohë që tensionet rriten mes Uashingtonit dhe Pekinit për çështje që nga politikat tregtare dhe deri tek sulmi i Rusisë në Ukrainë, apo siguria e Tajvanit.
Norma të reja dhe shqetësuese
Veprimtaria e tillë e Pekinit në rajon është rritur vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2023, ka patur të paktën 745 ndërhyrje nga avionët ushtarakë kinezë vetëm në zonën e identifikimit të fluturimeve të Tajvanit, sipas të dhënave të Ministrisë tajvaneze të Mbrojtjes Kombëtare.
Ndërkohë, Uashingtoni po projekton një prani më të fortë në rajonin Indo-Paqësor, duke shtuar stërvitjet ushtarake dhe duke rritur masat parandaluese me aleatët, përfshirë Korenë e Jugut, Japoninë dhe Filipinet.
Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, tha gjatë konferencës për shtyp të martën se shkëmbimet nuk kanë të bëjnë me lirinë e lundrimit, siç pretendojnë Shtetet e Bashkuara, por me “hegjemoninë e lundrimit dhe provokimin e qartë ushtarak”.
“Shtetet e Bashkuara kanë dërguar anije luftarake dhe avionë ushtarakë përtej gjysmës së botës në pragun e Kinës dhe janë angazhuar në misione zbulimi nga afër dhe shfaqjen e fuqisë ushtarake pranë zonës territoriale detare dhe hapësirës ajrore të Kinës”, tha zoti Wang.
Shkëmbimet në rajonin Indo-Paqësor mes dy rivalëve janë bërë “norma e re dhe shqetësuese”, tha Zuri Linetsky, studiues në Fondacionin Eurasia Group.
“Të dyja palët, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, nuk po veprojnë siç duhet dhe po nxisin dhe shtojnë tensionet”, tha zoti Linetsky për Zërin e Amerikës. “Kjo ka efekte të dëmshme për lojtarët rajonalë – në këtë rast Korenë e Jugut – por edhe Japoninë dhe Tajvanin”.
John Kirby, koordinator i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, hodhi poshtë nocionin se Shtetet e Bashkuara janë pjesërisht fajtore për përshkallëzimin.
“Ne të gjithë duam të shohim uljen e tensioneve”, i tha ai Zërit të Amerikës gjatë konferencës për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të martën, duke argumentuar se administrata po punon “shumë, shumë fort” për shtensionimin, por se hapjes së tyre diplomatike deri më tani nuk i është përgjigjur Pekini.
Javën e kaluar, Pekini refuzoi kërkesën e Uashingtonit për një takim në person, në kuadrin e Dialogut vjetor Shangri-la në Singapor, midis Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez Li Shangfu, për shkak të sanksioneve personale ndaj zotit Li që nuk janë hequr nga administrata amerikane.
Megjithatë, ka patur disa përparime në frontin diplomatik, me zyrtarë të nivelit të lartë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare që kanë patur bisedime private me homologët e tyre kinezë në javët e fundit.
Zyrtarët po punojnë gjithashtu për të organizuar sërish vizitën në Pekin të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, vizitë që Uashingtoni e anuloi pasi goditi dhe rrëzoi një balonë spiune kineze në muajin shkurt.
Rritje e shpenzimeve për mbrojtjen
Shqetësimet në rritje për Kinën, shpenzimet ushtarake të së cilës janë rritur për 28 vite me radhë, kanë ndihmuar për nxitjen e një gare armatimi në rajon.
Sipas të dhënave të shpenzimeve ushtarake nga Instituti i Stokholmit për Studimin e Paqes Ndërkombëtare (SIPRI) në vitin 2022, vendet në Azi shpenzuan 575 miliardë dollarë për mbrojtjen, një rritje prej 2.7% nga viti 2021 dhe një rritje prej 45% nga viti 2013, duke vazhduar kështu një prirje të pandërprerë rritjeje, e cila fillon që nga të paktën viti 1989.
Shpenzimet ushtarake globale u rritën me 3.7% në vitin 2022, sipas të dhënave të SIPRI-t, të nxitura kryesisht nga rreziku i shtuar nga sulmi rus në Ukrainë dhe tensionet në Azinë Lindore.
“Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake globale në vitet e fundit është një shenjë se po jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurtë”, tha Nan Tian, studiues në Programin e Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve të SIPRI-t. “Vendet po rrisin forcën ushtarake në përgjigje të një mjedisi të përkeqësuar të sigurisë, të cilin ata nuk e parashikojnë të përmirësohet në të ardhmen e afërt”. /VOA