Kërkohen 6 pikë në 2 ndeshje, tekniku Sylvinho zhvillon seancën e parë stërvitore me “legjionarët”

schedule21:40 - 5 Qershor, 2023

schedule 21:40 - 5 Qershor, 2023

“Legjionarët” e Kombëtares shqiptare, të udhëhequr nga tekniku Sylvinho ka nisur sot përgatitjet për 2 ndeshjet e radhës të kualifikueseve të Kampionatit evropian të futbollit, Euro 2024, teksa në datat 17 e 20 qershor do të përballen respektivisht ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Tekniku brazilian dhe stafi i tij teknik kanë punuar sot në fushën e “Shtëpisë së Futbollit” me 16 nga 26 lojtarët e përzgjedhur për sfidat e qershori, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët pasi kanë përfunduar ndërkohë impenjimet me klubet e tyre, me Etrit Berishën, Thomas Strakoshën, Elhan Kastratin, Simon Simonin, Adrian Bajramin, Frederik Veselin, Amir Abrashin, Ylber Ramadanin, Ernest Muçin, Andi Hadrojn, Myrto Uzunin, Armando Sadikun e Anis Mehmetin, që ishin pjesë e stërvitjes së sotme, ndërsa Enea Mihaj e Qaim Laçi u stërvitën veçmas grupit.

Sipas raportimeve, grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin për rreth një orë e më pas kanë zhvilluar një “mini-ndeshje” e kanë punuar me skemat sulmuese.

Në ditët në vazhdim pritet që të gjithë lojtarët e listës me 26 emra të bashkohen me skuadrën, me mesfushorin “zikaltër”, Kristjan Asllani që pritet t’i bashkohet i fundit “legjionarëve”, teksa do të jetë pjesë e Inter në finalen e madhe të UEFA Champions League, më 10 qershor.

Ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare, e cila synon kualifikimin për në finalet e Euro 2024, me teknikun Sylvinho që në konferencën për shtyp të zhvilluar mesditën e sotme kërkoi 6 pikë të plotë në përballjet e radhës ndaj Moldavisë e Ishujve Faroe. /i.m /abcnews.al