Kryebashkiaku i New York Bill De Blasio ka vendosur të taksojë çdo robot që zëvendëson punën e njerëzve në sipërmarrjet e mëdha. Sipas tij kjo gjë do të kufizojë pushimet nga puna.
Taksa për robotët për të kufizuar pushimet nga puna. Është ky projekti i ri i kryebashkiakut të New York Bill De Blasio, njëkohësisht kandidat për zgjedhjet paraprake të demokratëve për presidencialet e 2020-ës.
Masa mbështetet nga krijimi i një agjencie federale për kontrollin e automatizimit. Ideja nuk është e re, për herë të parë ishte Bill Gates në vitin 2017 që e përmendi. Madje është diskutuar dhe në Parlamentin Europian.
De Blasio theksoi se nëse projekti do të realizohej, nuk do të ketë nevojë për të zgjedhur mes risive teknologjike dhe të drejtës për punë. Një masë tjetër në kuadër të këtij projekti është dhe vendosja e një takse mbi robotët, taksë e cila do të aplikohet në sipërmarrjet e mëdha.
Sipërmarrjet të cilat vendosin të zëvendësojnë njerëzit me robotë duhet të paguajnë një taksë pesëvjeçare për çdo nëpunës nga i cili vendosin të heqin dorë. Këto fonde më pas do të ri investoheshin në projekte infrastrukturore dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Sipas De Blasio, ata që do të mbeten të papunë ndoshta duhet të ndërrojnë sektor dhe të përfitojnë njohuri të reja, por ndërkohë do të vijojnë të marrin një pagë dhe të ndihen të dobishëm për shoqërinë./ABC News Albania 24/7