Mësuesi italian me mision në Shqipëri/ Andrea Pisano u mëson gjuhën e tij gjirokastritëve

schedule20:33 - 3 Qershor, 2023

schedule 20:33 - 3 Qershor, 2023

GJIROKASTËR- Rrugët e qytetit të gurtë i shkeli për herë të parë këtë vit. Ky është Andrea Pisano nga Italia dhe ndodhet në Gjirokastër me një mision, t`ju mësojë gjuhën e tij amtare të rinjve të qytetit.

“Jam 25 vjeç dhe jam diplomuar një vit më parë në Universitetin e Salentos. Prania ime në Gjirokastër vjen falë një bashkëpunimi mes dy universiteteve, atij të Gjirokastrës dhe Salentos me qëllim zhvillimin e disa projekteve mes këtyre institucioneve dhe në veçanti përhapjen e gjuhës italiane, si një gjuhë që me kalimin e viteve ka pësuar rënie”.

Është diplomuar për letërsi klasike. Në Gjirokastër ka mbi tre muaj dhe gjatë kësaj kohe ka dhënë leksione në shkolla dhe universitet.

“Prania e një personi që flet gjuhën e vet amtare shërben si një nxitje për studentët dhe nxënësit për të mësuar gjuhën italiane dhe për t’u njohur me një gjuhë dhe një kulturë që historikisht ka qenë në marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Këtu unë kam zhvilluar veprimtarinë time si lektor në një shkollë 9 – vjeçare, në një shkollë të mesme dhe në universitetin “Eqrem Çabej”. Ka qenë i pritshëm reagimi dhe sjellja e fëmijëve tek të cilët jap mësim. Me studentët kam një diferencë moshore shumë të vogël dhe për rrjedhojë kemi krijuar një marrëdhënie miqësore me njëri – tjetrin, gjë që më lejon të jem më i lirshëm gjatë orës së leksionit me ta”

Thotë se me kalimin e viteve interesi për të njohur e mësuar gjuhën italiane ka rënë.

“Numri i të rinjve që mësojnë gjuhën italiane ka rënë ndjeshëm, ndikuar nga faktorë të ndryshëm, një prej të cilëve është përhapja e gjuhëve të tjera të huaja”

Në Gjirokastër sipas tij të rinjtë e duan italishten. Andrea tregon se është pritur mirë nga fëmijët e studentët e thotë se në disa raste është befasuar nga njohuritë e tyre mbi këtë gjuhë.

Sinkron: Studentët kanë qenë entuziastë për praninë time, edhe pse kam vënë re reagime të ndryshme tek ta. Tek fëmijët e 9 – vjeçares ka më shumë interes për të mësuar gjuhën dhe për të patur një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me një figurë të huaj që flet në gjuhën e vet amtare. Dhe unë mendoj se gjuha mësohet duke e praktikuar, duke jetuar në një vend ku ajo flitet gjerësisht ose duke krijuar kontakte me njerëz që e flasin atë gjuhë. Në shkollat e mesme ka klasa ku italishtja studiohet si gjuhë e parë ose e dytë dhe si rrjedhojë niveli I studentëve është I mirë. Kam mbetur I surprizuar nga njohuritë e tyre mbi gjuhën italiane.

Pranon se gjatë këtyre muajve ka hasur dhe vështirësi:

“Kjo është eksperienca ime e parë si mësues, kontakti me nxënës edhe student, por e mbështetur dhe e bërë më e lehtë falë bashkëpunimit me mësueset dhe pedagogët, pasi sigurisht që ka vështirësi komunikimi gjuhësor, sidomos me ata që janë fillestarë në mësimin e gjuhës italiane, gjë që nuk na mundëson një komunikim në gjuhë të rrjedhshme. Por vetë studentët ma kanë lehtësuar punën, ndaj nuk duhet t’i lë pa falënderuar edhe ata”

Në Shqipëri vjen për herë të parë por shqiptarë ka njohur edhe në Itali ndaj e dinte se këtu do e prisnin njerëz të dashur e të mirë.

“Kam njohur më parë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe kisha një ndjesi positive për atë që më priste këtu. Pata mundësinë të përjetoj mikpritjen dhe zemërgjerësinë shqiptare. Nuk jemi shumë larg gjeografikisht me qytetin tim të lindjes dhe kemi pothuajse të njëjtat karakteristika njerëzore dhe nga ky këndvështrim nuk gjej diferenca të mëdha mes nesh, por gjithsesi edhe pse diçka e pritshme, sinqerisht kam mbetur I surprizuar nga kjo mikpritje e gjirokastritëve”

Gjuhen shqipe e konsideron të vështirë dhe ende nuk arrin të komunikojë lehtësisht.

Sinkron: Mes meje dhe studentëve kam patur një sfidë të vërtetë gjuhësore. Ata janë përpjekur të më mësojnë kulturën dhe gjuhën shqipe, që unë e gjej shumë të vështirë, dhe unë nga ana tjetër kam bërë të njëjtën gjë me gjuhën italiane. Jemi përpjekur që të sjellim më të mirat e kulturave të të dyja vendeve, unë atë të Italisë dhe ata atë shqiptare. Për sa I përket gjuhës, njoh pak fjalë he kam vështirësi në shqiptim. Dhe ndaj e kuptoj edhe vështirësinë e tyre në të mësuarit e italishtes.

Tregon se ka njohur intelektuale të shumtë që janë larguar nga Shqipëria. Nuk gjykon zgjedhjet, por sugjeron se çdo i ri duhet të qëndrojë e kontribuojë në vendin e tij.

“Nuk mund të gjykoj zgjedhjet e askujt, pasi gjithsekush ka arsyet e veta për t’u larguar apo për të qëndruar, por mendoj se rritja e nivelit intelektual personal në vendin ku ke lindur, është edhe një shenjë mirënjohjeje ndaj vendit tënd. Nuk jam njeriu I duhur për të thënë nëse është veprimi I drejtë apo I gabuar largimi, por uroj që më kalimin e kohës të rinjtë të gjejnë arsye dhe mundësi për të qëndruar në Shqipëri, pasi është vërtet mëkat të humbasësh burimet e brendshme dhe t’ua japësh ato vendeve të tjera. Mendoj se është më mirë të përqendrohet gjithçka në vendin ku u takon, në vendlindjen e tyre”

Në përfundim të misionit të tij, Andrea ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë nëse do të qëndrojë në Shqipëri apo do të rikthehet në Itali por është i vendosur të kontribuojë për vendin e tij duke u mësuar të rinjve gjuhën e tij amtare./abcnews.al