KORÇË- Qyteti i Korçës u zbukurua sot nga Festivali i Karnavaleve, i cili njëkohësisht simbolizon dhe nisjen e sezonit turistik. Kryetari i Bashkisë Korçës, Sotiraq Filo, në intervistë për Abc News u shpreh se synimi është që Korça të jetë pjesë e paketave, që të “joshë” edhe turistë të huaj.
“Prej 16 vitesh organizon javën e parë të qershorit festivalin e parë të Karnavalit dhe në të njëjtën kohë simbolizon edhe çeljen e sezonit turistik veror për Korçën. Karnavali dhe Korça ka një lidhje të hershme, por ne kemi marrë këtë festë dhe e kemi sjellë në një kontekst modern. Këtë vit kemi mbi 30 grupe qe marrin pjesë në Festivalin e Karnavalit, ndërkohë që tre gupe janë nga Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Besoj se është koha më e mirë për të çelur një sezon turistik në qytet nëpërmjet haresë, gjallërisë dhe ngjyrave që sjellë Festivali i Karnavalit. Edhe këtë sezon veror besoj se Korça do të mirëpres shumë vizitorë vendas dhe të huaj. Kemi një numër në rritje të vizitorëve dhe ky vit besoj se nuk do ketë ndryshim me vitet e tjera”, tha ai.
Ai theksoi se falë punës është realizuar që Korça të jetë sot një destinacion turistik ku nuk mungon jeta e natës, kulinaria e shijshme dhe xhevahiri i këtij qyteti që janë muzeumet dhe serenatat e famshme korçare. Kryebashkiaku i qytetit julindor theksoi se, po punohet me operatorët turistikë për ta prezantuar Korçën përtej Shqipërisë, ashtu siç e meriton dhe kthimin e kësaj zone në një zonë të mbushur nga turistë.
“Besoj se ne kemi arritur kthimin e Korçës në një detsiacion turistik dhe patjetër që kemi sfida përpara dhe besoj se sfida kryesore është ndërkombëtarizimi i flukseve turistike. Në rast se deri tani kemi mbi 90% që janë vizitorë vendas, ambicia jonë është qe të rrisim turistët e huaj, duke përgatitur paketat turistike. Kemi ngritur punën dhe jemi duke bashkëpunuar me operatorët turistikë dhe besoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Janë turistë që vijë nga vendet e Evropës”, tha ai./n.m.abcnews.al