Skenar lufte në veri? Kulla: Kufijtë e Kosovës janë të NATO-s, ushtria serbe s’mund të ndërhyjë

schedule22:31 - 2 Qershor, 2023

schedule 22:31 - 2 Qershor, 2023

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla tha se tensionet në veri të Kosovës janë vazhdim i projektit rus për destabilizimin e Evropës Lindore. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Kulla tha se serbët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të plagosur 30 prej tyre, janë policë të forcave speciale serbe.

“Është vazhdimi i një projekti rus për destabilizimin e Evropës Lindore. Ata që i gjuajnë KFOR-it, janë njerëz që kanë ardhur nga Beogradi. Ata që gjuajnë aty janë policë të forcave speciale. Ka vetëorganizim të grupeve paraushtarake serbe.“, tha Kulla në emisionin “Zonë e Lirë”.

Ndërkohë i pyetur nëse mund të ketë luftë në Ballkan, Kulla tha se do të ketë destabilizim të vazhdueshëm por jo luftë. Sipas tij, Serbisë nuk i intereson që të hapë luftë ndaj Perëndimit. Ai thotë se Serbia “kërkon si haraç që të mos shkojë me Rusinë bashkimin e serbëve në Ballkan”.

“Kam qenë i qartë kur kam thënë ka një projekt të botës serbe në stilin e botës serbe, në një background të kishës ruse dhe serbe. Vetëm në Kosovë ke një përballje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe këtyre grupeve ekstremiste të botës serbe që konçidon me konfliktin në Ukrainë. Mendoj se Serbia është i vetmi vend që s’ka interes t’i shpallë luftë Perëndimit. Ata mjeshtrat në Beograd janë duke ngritur pazarin që të mos shkojnë me Rusinë, duhet të na jepni këto gjëra.“, tha ai.

Kulla thotë se Serbia nuk mund të nisë një luftë në Kosovë pasi kufijtë e Kosovës janë të NATO-s. Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse Serbia kërkon konflikte të brendshme pasi s’mund ta ofrojë ushtrinë në kufi dhe të hyjë në Kosovë, pasi në këtë mënyrë, NATO mund ta bombardojë.

“Nuk ndodh lufta në Kosovë pasi përveç rezolutës së OKB 1244 ka një mision të mirëfilltë të NATO-s në bazë të marrëveshjes së Kumanovës. Kufijtë e Kosovës janë të NATO-s. Ushtria serbe duhet të marrë leje edhe kur afrohet 20 kilometra. Prandaj i duan trazirat e brendshme që të justifikojnë një ndërhyrje. Në rast se guxojnë që të hyjnë, NATO ka të drejtën ta bombardojë si në ’99 në Beograd.”, shtoi më tej Kulla./abcnews.al