Dy gra u vranë gjatë granatimeve nga forcat ukrainase në rajonin kufitar rus Belgorod, tha guvernatori i atij rajoni.
Vyacheslav Gladkov tha gjithashtu se katër persona u plagosën pasi Ukraina bombardoi qytetin afër kufirit.
Zyrtarët në rajonet fqinje Bryansk dhe Kursk, thanë se ndërtesat u dëmtuan nga sulmi me dron, gjatë natës, shkruan REL.
Ukraina nuk ka komentuar lidhur me sulmin. Kievi, më herët, mohoi përfshirjen në sulmet e mëparshme që ndodhën përtej kufirit dhe tha se ato ishin kryer nga grupe ruse anti-qeveritare.
Ndërkohë, një nga grupet që kundërshtojnë Kremlinin, Legjioni i lirisë Ruse, tha se kishte marrë pjesë në operacionet ushtarake në fshatin e afërt Novaja Tavolzhanka.
Guvernatori Vyacheslav Gladkov tha për Telegram se predha goditi një pjesë të rrugës në qytetin Maslova Pristan, rreth 15 kilometra larg rajonit Harkov të Ukrainës dhe se copëzat goditën makinat që kalonin.
“Në njërën prej tyre udhëtonin dy gra, të cilat kanë vdekur në vend nga plagët e marra”, tha ai.