Dhunohen dy oficerë të policisë së Sarandës. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme pasi dy policët kanë tentuar të ndalonin një person që kishte thyer masën e sigurisë. Në tentativë për të kapur 23 vjeçarin Perikli Naci që ishte jashtë banesës, ata janë goditur nga 23 vjeçari bashkë me disa persona të tjerë.
ABC News mëson se dy oficerët policorë kanë pësuar dëmtime të shumta fizike dhe kanë marrë mjekim në spitalin “Petro Nako” të Sarandës. Forca të shumta të policisë kanë shoqëruar të dyshuarin bashkë me personat e tjerë në Komisariatin e Sarandës ku po kryhen veprimet hetimore.
23 vjeçari ishte pikasur pasditen e sotme jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndaj 23 vjeçarit Perikli Naci, gjykata e Gjirokastrës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në 16 Prill, ai ishte kapur nga policia jashtë banesës por sërish gjykata e Sarandës kishte vendosur masën “arrest në shtëpi”. /abcnews.al