NATO dënon përpjekjen e Koresë së Veriut për të lëshuar satelitin ushtarak

schedule12:19 - 31 Maj, 2023

schedule 12:19 - 31 Maj, 2023

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dënuar përpjekjen e Koresë së Veriut për të lëshuar satelitin ushtarak duke përdorur teknologjinë e raketës balistike.

Në një deklaratë, Stoltenberg theksoi se dënon ashpër këtë përpjekje, duke shtuar se “kjo rrit tensionin, përbën rreziqe serioze për sigurinë e rajonit dhe përtej tij”. Ai shtoi se kjo po ashtu shkel hapur rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“NATO i bën thirrje Koresë së Veriut të ndalë këto veprime provokuese dhe të rikthehet në dialog për të siguruar paqen e qëndrueshme dhe pastrimin e plotë nga armët bërthamore në mënyrë të plotë dhe të verifikueshme të Gadishullit Korean. Ne jemi bashkë me partnerët tanë të ngushtë në rajon, Republikën e Koresë dhe Japoninë” thuhet në deklaratë.

Lëshimi i satelitit që Koreja e Veriut kreu në orët e mëngjesit u njoftua se ka dështuar për shkak të një problemi në sistemin e raketës transportuese.

Ky lëshim është testimi i 6-të i dështuar i Koresë së Veriut për lëshimin e satelitit që nga viti 2016.

Qeveria e Phenianit kishte njoftuar Japoninë dhe Organizatën Ndërkombëtare të Detarisë se në periudhën 31 maj – 11 qershor do të kryente lëshimin e satelitit.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së në kuadër të sanksioneve që zbaton për shkak të programit të armëve bërthamore, ia ka ndaluar Koresë së Veriut që të kryejë lëshime me teknologjinë e raketës së drejtuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!