Kosova si Saliu

schedule10:01 - 31 Maj, 2023

schedule 10:01 - 31 Maj, 2023

Nga Frrok Çupi

Njëherë desh u tërhoqa nga ky titull “Kosova si Saliu”, se thashë po krahasoj gjithë Kosovën martire e të dashur me një personazh si Sali Berisha, i cili është izoluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e mandej edhe nga shtete të Europës.

Mirëpo shpejt e mblodha veten:

Vallë pse nuk u dashka thënë e vërteta siç është, edhe kur e vërteta është kaq e hidhur sa kjo që po ndodh me Kosovën sot, dje e pardje. Kosovës i nisi më e keqja: Izolimi nga aleatët më të mëdhenj dhe shpëtimtarët e saj, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian. Qeveria e Kosovës nisi revolucionin me armë në Veri të vendit, në katër komuna me shumicë serbe. Tre ditë që aty ka plasur dhuna, sa nga militantët protestues serbë, aq edhe nga forcat shtetërore të Kosovës. Dje u plagosën rëndë 30 ushtarë të NATO-s; dy nga të cilët janë shumë rëndë. Shtetet e Bashkuara, NATO dhe BE i bënë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ndalte makinën ushtarake dhe dhunën, por ai nuk pranoi. Prapë u paralajmëruan Kurti dhe Osmani, dy krerët e shtetit, por ata nuk ndalën, madje edhe e shtuan dhunën. Vetë sekretari Antony Blinken paralajmëroi se për Kosovën do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës, nëse qeveria nuk ndal dhunën, por qeveritarët e Kosovës e morën me ‘hajgare’ dhe nxorën përpara ‘Sovranitetin’. Kundër sekretarit Blinken dhe ambasadores së SHBA në Tiranë janë angazhuar batalione të tëra shpifësish, përgojuesish, fjalë- helmët kudo në Shqipëri. Edhe në Kosovë kundër të të njëjtëve që përbëjnë shtetin amerikan. Amerika kishte paralajmëruar. Më në fund, orët më fundit para se të nis të shkruaj këtë shkrim, Amerika njoftoi Kosovën për njërin nga vendimet e para:

Vendimi i Amerikës është që të përjashtojë Kosovën nga të gjitha stërvitjet ‘Defender Europë 23’. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”. Sapo ka ndodhur, teksa në Veri nuk po ndalet dhuna ku është përfshirë edhe forca ushtarake qeveritare e Kosovës. “Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, tha ambasadori Hovenier.

… Kthehemi te titulli i shkrimit “Kosova si Saliu”. Droja se po ‘preket’ Kosova në tërësi për shkak të gabimeve dhe budallallëkut të Albin Kurtit- kjo të bën të mendohesh a duhet shkruar kështu. Në fakt jemi dëmtuar shumë me të vërtetën duke ruajtur ‘mitet’. Kështu ka ndodhur me heronjtë e kaluar, me PD-në e sotme; me Kosovën martire dhe vëllazërore. Kësaj here, më në fund, duhet thënë e vërteta, si për çdo shtet tjetër, edhe për Kosovën. Më në fund, pse të mos pranojmë se vetë Kosova- në prapaskenën e Kurtit, është vetë fajtore dhe po bëhet viktimë. Në rastin e fundit të dhunës, vetë kosovarët u ndanë në mes- disa përkrahin dhunën dhe ‘sovranitetin’ me forcën e armëve dhe pjesa tjetër përkrahin këshillat e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe BE. Përderisa vetë Kosova nuk fiton dot mbi veprën e dhunshme dhe antikombëtare të kryeministrit të vet, atëherë nuk mund të thuash se ‘Kosova është e pafajshme’. Vetë Kosova e ka votuar për kryeministër.

Kjo bën sens për çdo shtet në botën e qytetëruar. Edhe për Kosovën, po kështu!

Aq më shumë për Kosovën. Kosova është një shtet i ri i krijuar për shkak të kontributit të kushtueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Nëse as Kosova nuk i qëndron të vërtetës së krijimit dhe rritjes së saj, atëherë cili do ta bënte këtë në vend të saj?

Tani lajmet mbi Kosovën nisën të vijnë shumë të hidhëta.

Anulimi i saj nga stërvitjet e mëdha ‘Defender Europe 23’ është goditje shumë e rëndë për Kosovën. Pas kësaj priten pasoja të tjera të rënda: Largimi nga tryezat dhe përkujdesjet e Shteteve të Bashkuara; mungesa e besimit politik të Perëndimit ndaj Kosovës; largimi me kilometra prej NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara; ndoshta edhe anulimi i lëvizjes së lirë në zonën Shengen- i cili sapo është paralajmëruar nga ministrat e jashtëm të BE.
Mund të ndodhë më e rënda: Që Kosova të lihet në ‘sovranitetin’ e saj dhe t’i zgjidhë punët alias Kurti.
Kosova nisi të izolohet.

E vetmja ngjashmëri e fatit të saj është Sali Berisha në Tiranë. Sali Berisha është shpallur i braktisur, i padëshiruar dhe armik i demokracisë nga Shtetet e Bashkuara. Askush nga SHBA dhe BE nuk i flet me gojë, as i jep dorën. Saliu thërret për ‘sovranitet’, që nënkupton ‘grushte’ kundër Perëndimit. Edhe Saliu ndjek Albin Kurtin si inatçinj të pandreqshëm kundër Shteteve të Bashkuara. Pasojat janë të rënda në Kosovë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!