Pjetër Shala kërkon që dëshmitarët të dëgjohen në seanca publike

schedule16:18 - 30 Maj, 2023

schedule 16:18 - 30 Maj, 2023

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, e ka kundërshtuar mbajtjen e seancave private derisa po dëgjohet dëshmitari i shtatë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Shala i cili nuk po ndodhet në gjykatoren e Speciales, por po e përcjellë seancën përmes video-lidhjes, ka thënë se seancat duhet të jenë publike derisa identiteti i dëshmitarit nuk bëhet i ditur dhe nuk përmenden emra.

“Nuk jam dakord me prokurorin, e nderuar gjyqtare, derisa nuk përmenden emrat dhe identiteti i dëshmitarëve ta bëjmë gjithë publike”, ka thënë Shala.

Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit të shtatë është redaktuar për publikun, ndërsa një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun.

E në seancë të hapur, dëshmitari i mbrojtur i ZSP-së, ka folur për periudhën që ai pretendon se është mbajtur në Kukës.

Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./B.Ibishi/

/KosovaPress/