Lufta kundër informalitetit, Gjokutaj: U gjobitën 9 subjekte

schedule14:55 - 8 Shtator, 2019

schedule 14:55 - 8 Shtator, 2019

Nëntë subjekte që tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz në vend  janë gjobitur gjatë aksionit kundër informalitetit. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj tha se nga shitjet e padeklaruara nga këto subjekte, detyrimi i munguar në buxhetin e shtetit kap vlerën e 1 milionë eurove.

Drejtoria e Doganave ka bërë bilancet dhe ka nxjerrë përgjegjësitë pas kontrolleve të kryera tek të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz, të gatshëm për konsum.

Nga i gjithë procesi i kontrollit ka rezultuar se mbi 752 litra karburant dhe 77 mijë litra gaz rezultonin të padeklaruara me një detyrim ndaj buxhetit të shtetit në vlerën e 1 milionë eurove.

“Kontrolli u krye për periudhën 2018 – deri në gusht 2019, dhe konsistoi në krahasimin e të dhënave të sistemit informatik doganor, matjeve fizike të vitit 2018 me gjendjet e matjeve fizike të kryer nga grupi i kontrollit, duke shtuar veprimet doganore të periudhës në kontroll. Si rezultat i këtij procesi kanë rezultuar mangësi nga gjendja e deklaruar te të gjithë operatorët që operojnë me karburant në magazinat e lira, 1 operator që operon me gazin natyral të lëngshëm dhe 1 rafineri prodhimi. Në total, nga i gjithë procesi i kontrollit rezultuan diferenca për 752,015 litra karburant dhe 77,451 litra gaz. Në total detyrimi i munguar dhe penalitetet për këto sasi janë rreth 129 mln lekë (1.06 mln euro)”, tha Gjokutaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj, paralajmëroi subjektet se kontrollet nuk do të ndalen, ndërkohë që publikoi edhe masat e marra ndaj punonjësve që kanë abuzuar me detyrën.

“Aktualisht janë liruar nga detyra 5 doganierë mbikqyrës, janë thirrur në komisionin disiplinor 9 doganierë të tjerë. Përfitoj nga rasti të rikujtoj që ky nuk është një aksion i kufizuar në kohë, por një Plan Operacional Veprimi i vazhdueshëm me objektiv të qartë: asnjë kompromis ndaj informalitetit dhe çdo operatori që do rezultojë me parregullsi”, tha Gjokutaj.

Nga muaji Korrik, qeveria ka nisur një aksion të gjerë kundër informalitetit. Aksioni ka qenë i bazuar kryesisht në bizneset e mëdha dhe më konkretisht në operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz./ABC News Albania 24/7