Shqipëria nuk shmang goleadën ndaj Francës dhe shuan përfundimisht shanset për një kualifikim në Euro 2020. Kuqezinjtë u mundën në Paris me rezultatin e thelle 4-1. Ndeshja nisi me vonesë pasi pak para startit të takimit ndodhi një gafë nga organizatorët, të cilët ngatërruan himnin shqiptar ndërkohë që lojtarët kuqezi nuk pranuan të startonin lojën pa dëgjuar të këndohej himni i Shqipërisë.
Sfida nisi me një vendosje të gabuar taktike të trajnerit Edi Reja çka rezultoi fatale në pësimin e golit të parë. Tekniku italian inkuadroi në linjën e majtë Odise Roshin i cili u detyrua më pas të ndryshonte pozicionin me Hysajn. Francezët zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 8 të takimit. Varane asiston saktë për futbollistin e Bayern Mynih i cili shënon lehtësisht përballë portierit Strakosha. Shqipëria e ka të pamundur të ndalë yjet e Dider Deshamps ndërkohë që në të 27 minutën Zhiru realizon edhe golin e dytë për Francën.
Vendasit dominojnë gjithçka ndërkohë që fitojnë edhe një 11-metërsh pas ndërhyrjes së gabuar të Mavraj ndaj Hernandez, por fati është me Shqipërinë pasi goditja e Grizman ndalet në traversë. Franca e mbyll pjesën e parë si dominues dhe shkon në dhomat e zhveshjes me një rezultat komod ndërkohë që kuqezinjtë vuajnë përballë kampionëve të botës.
Në fraksionin e dytë nuk ka shumë histori dhe francezët dominojnë ndaj kuqezinjve. Në minutën e 68 Koman shënon për 3-0 duke i dhënë një goditje të rëndë Shqipërisë e cila dorëzohet totalisht. Francezët mendojnë edhe për golin e katër me Ikone ndërkohë që në kohën shtesë Sokol Cikalleshi i ardhur nga stoli fiton një 11 metërsh dhe shënon golin e nderit për kuqezinjtë. Përtej humbjes ajo që shqetëson jo pak është edhe loja e të besuarve të trajnerit Edi Reja. Shqipëria renditet si e katërta në grupin H ndërkohë që ndeshjen e radhës do ta luajë të martën në “Elbasan Arena” përballë Islandës./ABC News Albania 24/7