Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç ka konfirmuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka nënshkruar urdhrin për rritjen e gatishmërisë së ushtrisë dhe shtoi se situata në Kosovë është dramatike.
“Gjithçka që presidenti Vuçiç paralajmëroi me ditë dhe javë se Prishtina po nxiton më tej në përshkallëzimin dhe kryerjen e terrorit kundër komunitetit serb, kryesisht në veri të Kosovës dhe tërhoqi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndërmjetësuesve në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për fat të keq doli të jetë e vërtetë”, tha Vuçeviç për TV Pink.
Ai u shpreh se Forcat e Armatosura të Serbisë janë në gatishmëri.
“Dikush duhet të kuptojë se ajo që po bën Albin Kurti po na çon në vija të kuqe, duke na çuar në një kolaps të plotë të dialogut, duke na çuar në de-përshkallëzimin në terren”, theksoi ministri.
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
Serbët kanë djegur disa vetura të policisë dhe tentuan të hynë në objektin e komunës, ndërsa efektivët kanë ndërhyrë me gaz-lotësjellës.
Ndërkaq, disa kamionë janë të parkuar në mes të rrugëve në hyrje dhe dalje të Leposaviçit./abcnews.al